Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin e Konkurrencës, dolën në terren të premten për të inspektuar pikat e shitjes së derivateve të naftës, me qëllim verifikimin e zbatimit të vendimit për rregullimin e çmimeve.
KosovaPress ka qenë e pranishme në njërën nga tre pikat e derivateve ku u zhvilluan kontrollet.
Me vendim të Ministres, Mimoza Kusari- Lila, të shtyrë pas zhvillimeve në tregun ndërkombëtar, çmimet e naftës nuk mund të jenë më të larta se 1.54 euro për litër, ndërsa ato të benzinës, çmimin prej 1.36 euro e kanë maksimal.
Inspektorja Shkëndije Bajrami-Azizi tha se inspektimet po realizohen në vazhdimësi në gjithë territorin e Kosovës, dhe se monitorimi i çmimeve bëhet edhe në baza ditore.
“Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut në kuadër të Ministrisë së Tregtisë, në bashkëpunim me Inspektoratin e Administratës Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës, kemi dalë në inspektime të rregullta në lidhje me zbatimin e vendimit të MINT për rregullimin e çmimeve të naftës për shitësit me shumicë dhe shitësit me pakicë”, deklaroi Bajrami-Azizi.
Ajo shtoi se inspektorati po zhvillon monitorim të vazhdueshëm të tregut të derivateve, ndërsa vendimet për shkelje eventuale merren vetëm pas analizës së plotë të të dhënave.
“Vendimet e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut për shkeljen e marzhës tregtare merren vetëm pas pranimit të raportit nga Administrata Tatimore. Nëse hasim shkelje, atëherë inspektorati i mbikëqyrjes së tregut.vazhdon me inicimin e procedurave për kundërvajtje”, theksoi ajo.
Sipas inspektorës, qëllimi kryesor i këtyre inspektimeve është mbrojtja e konsumatorit dhe sigurimi që tregtarët të respektojnë vendimin për kufizimin e çmimeve të derivateve.
Ajo, bënë me dije se dhe para nxjerrjes së vendimit të fundit nga ministria, ishte bërë monitorim i përditshëm i lëvizjeve të çmimeve të naftës në treg. Vecse tash inspketimi bëhet së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës dhe Autoritetin e Konkurrencës.
Ndërkohjë, menaxheri i pikës së një kompanie të derivateve në lagjen Arbëria në Prishtinë, Ardian Buleshkaj, tha se aktualisht çmimet janë në përputhje me vendimin e institucioneve.
“Për momentin në pikën tonë çmimi i pakicës për një litër dizell shkon në 1.49 euro, ndërsa çmimi i shumicës shkon 1.46. Benzina është rreth 1.30–1.31 euro, varësisht nga ndryshimet që ndodhin ditë pas dite”, deklaroi ai.
Ai theksoi se çmimet në Kosovë ndikohen kryesisht nga lëvizjet në tregjet ndërkombëtare.
“Realisht, në bazë të informatave që i posedoj, çmimet tona përcaktohen në bazë të tregut të bursës ndërkombëtare. Nuk e besoj që Kosova është jashtë suazave të asaj që e përcakton tregu i berzës”, u shpreh Buleshkaj.
Sa i përket kontrolleve nga inspektorati, ai tha se kompania në të cilën punon ka pasur vizita të vazhdueshme nga institucionet mbikëqyrëse. Ai shtoi se aktualisht çmimet në pikat e kompanisë janë të njëjta, ndonëse zakonisht ato përshtaten në varësi të konkurrencës dhe lokacionit të pikave.



Të tjera
Brokoli forcon stomakun
Osmani në sinkron me opozitën, duket se ka një skenar
Dy yjet kosovarë të Counter-Strike2 sot përballë njëri-tjetrit për një vend në finale të ESL Pro League