Çoku: Korridori VIII po ndërtohet me ritëm rekord, kritikat e opozitës jo serioze

Korridori VIII po ndërtohet me ritëm rekord, kritikat e opozitës jo serioze

Deputeti i VLEN-it, Bekim Çoku, ka mbrojtur fuqishëm ndërtimin e Korridorit VIII, duke theksuar se kritikat nga opozita nuk mund të merren seriozisht, pasi – sipas tij – të njëjtat struktura politike nuk kanë arritur të ndërtojnë asnjë kilometër autostradë gjatë më shumë se dy dekadave në pushtet.

Sipas Çokut, projekti i Korridorit VIII po realizohet nga qeveria aktuale me një dinamikë të paprecedentë, pikërisht për shkak të dështimeve të qeverive të mëparshme në këtë drejtim. Ai bëri të ditur se kostoja e projektit pritet të arrijë nga 1.4 deri në 1.7 miliardë euro, ndërsa përfundimi i punimeve është planifikuar për vitin 2029.

“Opozita ka të drejtë të kritikojë, sepse kjo është në natyrën e saj. Por jo kjo opozitë, e cila nuk ka qenë në gjendje të ndërtojë as edhe një kilometër të vetëm”, ka deklaruar Çoku.

Ai theksoi se për qeverinë është thelbësore që autostrada të arrijë deri në Trebenishtë dhe Ohër, duke shtuar se më pas do të ketë mundësi për zgjatje të mëtejshme të saj.

Duke iu referuar çështjes së UNESCO-s, Çoku u shpreh optimist se do të gjenden zgjidhje për sigurimin e lejeve të nevojshme, duke përmendur si shembull projekte të tjera infrastrukturore në zonë që kanë marrë miratim, pavarësisht afërsisë me Liqenin e Ohrit.

“Kjo është çështje kohe dhe financash. Por fakti që kjo rrugë ka arritur deri këtu, në vetvete, është një arritje e jashtëzakonshme”, përfundoi ai.