Shqipëria ka marrë sistemet raketahedhës Javelin nga Shtetet e Basskuara të Amerikës, një “dhuratë” për ushtrinë tonë për Vitin e Ri, që, sipas ministrit të Mbrojtjes, Pirro Vengu, forcon aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Shqiptare, rrit parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare, përcjell A2 CNN.
“Sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë të sistemeve Javelin dhe Shqipëria dhe Kosova, është e vërtetë, janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi bilateral me Shtetet e Bashkuara, si edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme”, tha Vengu në një video të postuar në llogarinë e tij në Instagram, nga një bazë e Forcës Tokësore, të paidentifikuar.
Sipas ministrit, marrja e këtyre sistemeve është e rëndësishme për tre arsye. “E para, sepse ka të bëjë me një kërkesë të hershme të forcave tona dhe më në fund po realizohet. E dyta, sepse bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara mbetet themelor për forcimin e kapaciteteve tona dhe rritjen e aftësive mbrojtëse. Janë sisteme antitank, të cilat mund të shërbejnë edhe në situata të caktuara për kundërshtimin e elementit kërcënues në distancë të shkurtër. Pika e tretë, po aq e rëndësishme, ka të bëjë me aftësimin e personelit tonë luftarak për përdorimin e sistemeve, pajisjeve dhe teknologjive të përditësuara. Pra, ka një domethënie të trefishtë”, tha ai.
Ministri nuk bëri të ditur sasinë e raketahedhësve që ka marrë Shqipëria, por tha se gjatë vitit 2026 është parashikuar edhe një tjetër dërgesë.



Të tjera
Humbisni 12 kilogramë në një muaj me dietën braziliane
Kosova dhe Shqipëria, pjesë e ndihmës ushtarake amerikane me sisteme Javelin
Sa fëmijë duhet të keni për të qenë të lumtur?