Kosova është renditur ndër vendet më të sigurta në botë dhe e para në Evropë për ndjenjën e sigurisë së qytetarëve dhe besimin ndaj institucioneve të zbatimit të ligjit, sipas raportit më të ri ndërkombëtar Gallup Global Safety Report 2025, i publikuar në fillim të muajit shtator.
Në këtë raport prestigjioz, Kosova ka arritur 94 pikë nga 100 në Indeksin e Ligjit dhe Rendit, duke u pozicionuar e treta në nivel global, pas Taxhikistanit (97 pikë) dhe Singaporit (95 pikë). Ky vlerësim e vendos Kosovën përpara shteteve të njohura për nivelin e lartë të sigurisë, si Islanda, Norvegjia, Austria dhe Zvicra.
Një tjetër tregues domethënës është fakti se 89% e qytetarëve të Kosovës shprehen se ndihen të sigurt duke ecur vetëm natën në zonat ku jetojnë – një ndër përqindjet më të larta në botë dhe në Evropë.
Policia e Kosovës thekson se këto rezultate pozitive janë fryt i përkushtimit të vazhdueshëm në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët dhe institucione të tjera të sigurisë, si dhe mbështetjes së vazhdueshme nga partnerët strategjikë ndërkombëtarë.
“Ky vlerësim është një dëshmi e qartë e përkushtimit të Policisë së Kosovës për ofrimin e një shërbimi profesional, efektiv dhe llogaridhënës për të gjithë qytetarët pa dallim,” thuhet në reagimin zyrtar të Policisë në rrjetet sociale.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e jetës dhe pronës, ofrimin e sigurisë dhe shërbim sa më profesional, efektiv dhe llogaridhënës për të gjithë qytetarët pa dallim.



Të tjera
Si të minimizohen pasojat negative të divorcit te fëmijët
Ushqimet që “shtyjnë” plakjen
Osmani s’është dashur ta shpërndajë Kuvendin, s’janë plotësuar kriteret kushtetuese (VIDEO)