Basha: Kosova e vlerëson Turqinë si partner strategjik

Kosova e vlerëson Turqinë si partner strategjik

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha ka marrë pjesë në ceremoninë solemne të shënimit të 102-vjetorit të Republikës së Turqisë.

Basha ka thënë se Turqia është aleati i çmuar, shtet i cili sipas tij, nga ditët më të vështira të luftës, periudhës së rindërtimit e deri në forcimin e kapaciteteve shtetërore, ka qëndruar krah Kosovës me mbështetje institucionale, ekonomike e humanitare.

Ai përgjatë fjalës së tij në këtë ceremoni ka thënë se shqiptarët përgjatë shekujve kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe zhvillimin e Turqisë.

“Sot, marrëdhëniet tona po ndërtohen mbi arritje konkrete, projekte zhvillimore dhe partneritet të fuqishëm politik e institucional. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, shpreha mirënjohje të veçantë për Gjeneralin Ulutash dhe 730 ushtarët e kontingjentit turk që shërbejnë në kuadër të KFOR-it, forca këto që vazhdojnë të jenë të pranishme për shkak të politikave hegjemoniste të shtetit serb, i cili nuk e pranon realitetin tonë dhe vazhdon të ketë pretendime territoriale mbi ne”, ka deklaruar Basha.

Tutje ai ka thënë se Kosova e vlerëson Turqinë si partner strategjik me të cilin ndajnë vlera të përbashkëta për zhvillim, stabilitet rajonal dhe prosperitet për popujt.

“Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve tanë, urojmë popullin turk për 102-vjetorin e Republikës së Turqisë, me dëshirën që miqësia dhe bashkëpunimi ynë i shkëlqyeshëm të forcohen edhe më shumë në shërbim të paqes, mirëqenies dhe të ardhmes sonë të përbashkët”, ka deklaruar kryekuvendari Basha.