Për takimin që Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Antonio Costa, zhvilloi sonte në Prishtinë me kryeministrin në largim Albin Kurti, edhe zyra e këtij të fundit ka dërguar një komunikatë për media, shkruan KosivaPost.
ZKM njofton se në fillim të takimit, teksa i uroi mirëseardhje presidentit Costa, Kurti tha: “Kosova është evropiane në vlera, në histori dhe në kulturë dhe jemi plotësisht të përkushtuar për t’u bërë vend anëtar i Bashkimit Evropian”.
ZKM njofton se Kurti kërkoi nga presidenti Costa rol aktiv për dërgimin e pyetësorit dhe dhënien e statusin të vendit kandidat.
“Ai gjithashtu, kërkoi heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave kufizuese të BE-së ndaj Kosovës. Ndër të tjera, veçoi se sipas organizatave ndërkombëtare si Freedom House, Transparency International dhe World Justice Project, Kosova ka shënuar përparimin më të madh në sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, rendin dhe sigurinë, ka ekonominë me rritjen më të shpejtë në rajon sipas Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, si dhe Kosova është e para që ka dorëzuar në kohë Agjendën e Reformave të Planit të Rritjes të BE-së. Kryeministri theksoi se Kosova ka bërë progres në plotësimin e reformave, siç dëshmohet në raportet e Progresit të BE-së për Kosovën”, thekson ZKM.
Gjatë diskutimit u bisedua edhe për sigurinë rajonale.
ZKM vijon se “Kurti tha që kërcënimet për rajonin vijnë nga Serbia, e cila është përgjegjëse për sulmin paramilitar dhe terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023, dhe lidhjet e vazhdueshme të saj me Federatën e Rusisë. Kryeministri kërkoi që Radoiçiq t’i dorëzohet institucioneve të drejtësisë së Kosovës”.
Në takim, sipas ZKM, Kurti “gjithashtu ngriti shqetësimin për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Shqiptarët në Luginë të Preshevës janë të nën-përfaqësuar në institucionet publike, diskriminohen në punësim dhe të drejtat e tyre shpërfillen në mënyrë të vazhdueshme”, tha ai.



Të tjera
Gjashtë ushqime që ju ndihmojnë të flini më mirë
“Nëse jetoni në të kaluarën, do të vdisni në të kaluarën”, këshillat që ju duhen për sukses
Të flini pranë dikujt që gërhet mund t’ju shkakton probleme serioze shëndetësore