Kosova lë pas superfuqi botërore në Indeksin Global të Qëndrueshmërisë

Kosova lë pas superfuqi botërore në Indeksin Global të Qëndrueshmërisë

Kosova është renditur në vendin e 26-të në botë në Indeksin Global të Rrezikut dhe Qëndrueshmërisë (Global Investment Risk and Resilience Index), të publikuar nga Henley & Partners në bashkëpunim me platformën analitike AlphaGeo, transmeton KosovaPost.

Ky indeks, i pari në llojin e tij, mat ekspozimin e vendeve ndaj rreziqeve gjeopolitike, ekonomike dhe klimatike, si dhe aftësinë e tyre për t’u përshtatur dhe rikuperuar. Në krye të listës qëndron Zvicra, e ndjekur nga Danimarka, Norvegjia, Singapori dhe Suedia.

Në këtë renditje të gjerë që përfshin 226 shtete dhe territore, Kosova me një rezultat prej 74.49 pikësh ka lënë pas shumë vende të zhvilluara, përfshirë SHBA-në (vendi i 32-të), Japoninë (35), Italinë (48) dhe Kinën (49).

Sipas raportit, “shtetet më të vogla dhe më fleksibile po bëhen modele të qëndrueshmërisë moderne”, duke kombinuar qeverisje efektive, inovacion dhe stabilitet social. Kosova, e vendosur në vendin e 26-të, menjëherë pas Belgjikës (27) dhe përpara Francës (29), vlerësohet si shembull i rezistencës institucionale dhe përmirësimit të kapaciteteve të qeverisjes, ndonëse ende përballet me sfida politike dhe ekonomike.

Në rajon, Kosova renditet si shteti më rezistent në Ballkanin Perëndimor, duke tejkaluar Malin e Zi (69), Maqedoninë e Veriut (65), Shqipërinë (74), Serbinë (71) dhe Bosnjë-Hercegovinën (77).

Autorët e indeksit theksojnë se rezistenca nuk varet vetëm nga madhësia apo pasuria e një vendi, por nga forca institucionale, stabiliteti social dhe aftësia për t’u përshtatur me ndryshimet globale.

​Dr. Christian H. Kälin, Kryetar i Henley & Partners, thekson rëndësinë e kësaj metrike të re duke thënë se “Qëndrueshmëria tani ka më shumë rëndësi se pasuria ose struktura politike, Është drejtuesi përcaktues i suksesit të ardhshëm në një epokë paqëndrueshmërie.”

​Për Kosovën, ky pozicion i lartë sugjeron se institucionet e saj, qeverisja, inovacioni dhe kohezioni social kanë treguar një kapacitet solid rezistence ndaj sfidave globale, duke e bërë atë një destinacion me një profil rreziku dhe qëndrueshmërie të favorshëm për investitorët ndërkombëtarë.

​Ky renditje shërben si një pikë referimi e fuqishme, duke vendosur Kosovën në hartën globale jo vetëm si një treg në zhvillim, por si një lider në aspektin e aftësisë për t’u mbrojtur dhe për të lulëzuar në mes të paqëndrueshmërisë

Raporti i plotë është publikuar në faqen zyrtare të të Henley & Partners.