Albin Kurti si Henri Kisinxheri, mbron interesin nacional dhe shtetëror të Kosovës

Kosova meriton të jetë pjesë e BE-së, s’duhet të mbahet më nën masa ndëshkuese

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një postim me rastin e shënimit të Ditës së Evropës dhe 80-vjetorit të fitores ndaj nazizmit dhe fashizmit, duke theksuar rëndësinë e këtyre dy datave për historinë e kontinentit evropian, shkruan KosovaPost.

Ai tha se këto ditë “festohen e shënohen në perëndim, e jo në lindje” dhe se Kosova mishëron vlerat e demokracisë, lirisë dhe paqes.

“Këto dy ditë të rëndësishme për historinë e Evropës festohen e shënohen në perëndim, e jo në lindje. Kosova frymëzohet dhe mishëron vlerat më të larta të demokracisë, lirisë e paqes, të cilat duam dhe aspirojmë t’i shprehim si shtet kontribues i sigurisë dhe stabilitetit në Evropë edhe brenda familjes evropiane. Për ne Bashkimi Evropian nuk është zgjidhje, por zgjedhje”, shkroi Kurti.

Ai shtoi se vendi ka bërë hapa të mëdhenj në integrimin evropian gjatë katër viteve të fundit, por se “meriton më shumë” dhe kërkoi që Kosova të mos mbahet më “nën masa ndëshkuese të cilat ishin të padrejta që nga fillimi”.