Kosova mirëpret Kampionatin Evropian të Esporteve EEC25 me pjesëmarrjen e 24 shteteve – Ekonomia Online

Kosova mirëpret Kampionatin Evropian të Esporteve EEC25 me pjesëmarrjen e 24 shteteve

Me rastin e hapjes së Kampionatit Evropian të Esporteve – EEC25, u mbajt një konferencë për media ku u theksua rëndësia historike e kësaj ngjarjeje për Kosovën dhe për komunitetin ndërkombëtar të sporteve, raporton Ekonomia Online.

Presidenti i Federatës së Esporteve të Kosovës, Altin Preniqi, tha se për pesë ditë me radhë Kosova do të jetë mikpritëse e esportit evropian, në një moment që ai e cilësoi historik për vendin.

“Për pesë ditë Kosova do të jetë mikpritëse për Esports. Ky është një moment historik për Kosovën dhe një dëshmi për të treguar vlerat tona. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë 25 shtete”, tha Preniqi.

Zëvendësministrja e Kulturës , e Rinisë dhe e Sportit, Daulina Osmani, tha se në këtë ngjarje marrin pjesë 250 lojtarë nga 24 shtete të botës, duke sqaruar se Serbia është tërhequr në momentet e fundit për arsye politike.

“Sot Federata po e bën Kosovën qendër të lojërave elektronike, sportit, teknologjisë dhe inovacionit. Kampionati për Kosovën është dëshmi e vizionit tonë për ta bërë Kosovën qendër të inovacionit dhe sportit. Nga 25 shtete, sot i kemi vetëm 24 për shkak të tërheqjes së Serbisë nga kampionati në momentet e fundit. Kosova ka garantuar mjedis të barabartë dhe të sigurt për të gjithë pjesëmarrësit. Është për të ardhur keq që institucionet e Serbisë nuk lejojnë që sportistët të marrin pjesë. Ky ka qenë vendim i politikave shtetërore të Serbisë”, tha Osmani.

Presidenti i Federatës Evropiane të Esporteve, Karol Cagan, vlerësoi lart përgatitjen dhe organizimin nga pala kosovare.

“Se si njerëzit vendas po e mbështesin, sa klube cilësore ka dhe gara që është organizuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare, gjë që, natyrisht, është shumë kënaqësi për ne, dhe jemi shumë të lumtur që ekipi i Kosovës ka bërë një punë kaq të shkëlqyer për ta sjellë këtë ngjarje këtu dhe për të pasur pjesëmarrjen e 25 vendeve.

Përveç ngjarjes, jemi gjithashtu duke organizuar edhe Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Evropiane të Esporteve këtu, ku kemi delegatë nga mbi 36 vende që kanë ardhur në Prishtinë për të diskutuar dhe vendosur për të ardhmen e esporteve, e cila, besoj, do të lidhet fuqishëm edhe me Kosovën dhe aktivitetet e saj në esport, pasi kjo është një përkushtim i vërtetë për të zhvilluar këtë industri të re, për të ndihmuar atletët dhe për t’i ofruar edhe ekosistemit evropian një shembull të mirë se si duhet të inkorporohen esportet, qoftë përmes punës së shoqatës apo përmes ligjit për esport që është miratuar në Kosovë dhe që e njeh esportin, duke e vendosur kuadrin ligjor të Kosovës si një model për shumë vende të tjera në Evropë, madje edhe për vendet më të mëdha dhe më të vjetra.

Prandaj, nga kjo pozitë, jam shumë krenar që jam në Kosovë dhe i uroj shumë suksese si Federatës së Esporteve të Kosovës, ashtu edhe Qeverisë së Kosovës për këtë ngjarje të mrekullueshme”, tha Cagan.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Ndërkombëtare të Esporteve (IESF), Boban Totovski, theksoi rëndësinë që ka kjo ngjarje në zhvillimin e mëtejshëm të esportit në nivel global.

“Është një moment shumë i rëndësishëm në esportin ndërkombëtar, sepse po jetojmë në një periudhë ku kemi parë Komitetin Olimpik Ndërkombëtar të shpallë Lojërat Olimpike të Esporteve. Fillimisht për vitin 2025, tani për 2027, me shpresë që do të ndodhin. Por sytë e botës dhe të komunitetit sportiv janë te esporti.

Kjo ndihmon gjithashtu që kjo ngjarje të tregojë se Federata Evropiane dhe sigurisht Federata e Kosovës kanë kapacitetin për të organizuar kualifikime kombëtare dhe gara të rregullta duke ndjekur strukturën, udhëzimet, rregulloret antidoping, rregullat dhe gjithçka tjetër që kërkon çdo sport tjetër. Pra, përveç lëvizjes fizike të atletëve, esporti i ka të gjitha elementet e një sporti,” tha Totovski.

Përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës, Flatron Halimi, shprehu krenarinë e tij që po përfaqëson Kosovën në këtë ngjarje madhore.

“Është një ditë e veçantë si sportist i esportit, duke pasur parasysh që ky sport është ndër industritë me zhvillimin më të hovshëm. Është nder dhe krenari të përfaqësoj Kosovën dhe me qenë mikpritës i një eventi kaq të lartë. Do të bëjmë më të mirën që ta përfaqësojmë Kosovën”, u shpreh Halimi.

Gjatë konferencës u prezantua edhe trofeu që do t’i ndahet fituesit të kampionatit, i cili, sipas organizatorëve, përmban vlera simbolike dhe kombëtare të Republikës së Kosovës.