Osmani: Kosova në BE, imperativ strategjik për të gjithë kontinentin

Kosova në BE, imperativ strategjik për të gjithë kontinentin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur rreth procesit të aplikimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Ajo tha se kjo është diçka për të cilën kanë punuar për një kohë shumë të gjatë.

“Praktikisht kemi aplikuar vetëm disa vite më parë, shpresojmë që aplikimi ynë të jetë në tryezën e anëtarëve të Këshillit shumë, shumë shpejt. Në fakt, si identitet, si shtet, si komb, ne kemi kontribuar në vlerat mbi të cilat qëndron Bashkimi Evropian për shekuj me radhë. Dhe kështu besojmë fuqishëm se, ndonëse është një proces shumë kompleks, nëse do të përdorej kriteri i bazuar në meritë, Kosova në fakt do të kishte qenë një nga pararendëset deri tani”, tha ajo në intervistë për Euronews.

Sipas saj, procesi është kompleks në rastin tonë edhe për shkak të pesë shteteve mosnjohëse të BE-së, e për të cilat tha se “ne vërtet shpresojmë se do ta kuptojnë se Kosova si anëtare e Unionit nuk është vetëm në dobi të popullit të Kosovës, por është një imperativ strategjik, është një imperativ i sigurisë për të gjithë kontinentin”.

Osmani ka thënë se për sundimin e ligjit Kosova është lider, duke shtuar se ky ka qenë prioritet kryesor i institucioneve të Kosovës.

“Këto janë disa çështje në të cilat kemi punuar shumë”, ka thënë ajo. “Edhe në reformat ekonomike, gjithashtu bazuar në raportet e hershme të BE-së, qëndrojmë më së miri në rajon. Edhe në reformat administrative, jemi më të mirët në rajon. Natyrisht ka punë të vogla që duhet t’i përfundojmë. Por nëse nuk do të kishte komplikime politike, të cilat natyrisht nuk kanë të bëjnë asgjë me reformat, padyshim që do të ishim në krye”. Osmani ka thënë se mbështesin anëtarësimin e Ukrainës në BE.