Analistët politikë kanë vlerësuar se pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes përbën një zhvillim me rëndësi strategjike për vendin, duke theksuar se kjo rrit qasjen e drejtpërdrejtë në Shtëpinë e Bardhë, forcon garancitë e sigurisë dhe hap mundësi të reja për lobim ndërkombëtar dhe afrimin drejt anëtarësimit në NATO.
Sipas tyre, fakti që Kosova është ndër anëtaret themeluese të këtij mekanizmi dhe që konsiderohet partnere nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përbën një sinjal të fortë politik, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Analisti politik Afrim Kasolli ka theksuar se, pavarësisht peshës reale të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, është e rëndësishme që vendi të jetë në të njëjtën linjë me SHBA-në dhe të konsiderohet partner në aranzhime globale. Sipas tij, ndonëse Kosova nuk ka kapacitete të jashtëzakonshme, ajo duhet të japë kontributin e saj modest – ushtarak, financiar dhe në misione paqeje – përfshirë misionin që po përgatitet të instalohet në Rripin e Gazës.
Kasolli ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria janë dy prej vendeve të vetme në rajon që vazhdojnë të trajtohen me solidaritet të plotë nga SHBA-ja, duke nënvizuar se interesi shtetëror i Kosovës është të jetë në të njëjtën linjë me Uashingtonin dhe të ketë akses të drejtpërdrejtë në Shtëpinë e Bardhë.
“Pra, do të thotë, është e rëndësishme, dhe jo vetëm Kosova, por edhe Shqipëria, bota shqiptare, janë dy prej vendeve, janë dy shtete shqiptare, janë dy prej vendeve të vetme në rajon që vazhdojnë të trajtohen me solidaritet të plotë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe kjo nuk është pak, pavarësisht dilemave juridike e ndërkombëtare që mund të ketë kjo iniciativë. Mirëpo interesi shtetëror i Kosovës është që të jetë në të njëjtën linjë dhe të ketë akses të drejtpërdrejtë në Washington, në Shtëpinë e Bardhë dhe në instanca të tjera të politikbërjes së superfuqisë së vetme planetare, për shkak se historia e shtetndërtimit të Kosovës nuk mund të paramendohet pa kontributin e jashtëzakonshëm të atij vendi”, tha ai.
“Fakti që tashmë Republikës së Kosovës, institucioneve të saj, përfaqësuesve të saj, i krijohet një akses i drejtpërdrejtë në Shtëpinë e Bardhë nuk është pak. Pra, sepse eventualisht, do të thotë, në tensione të ardhshme i përkujtohet edhe Serbisë që i përkujtohet edhe Serbisë që ky vend, do të thotë, ka mundësi që drejtpërdrejt të intervenojë në Shtëpinë e Bardhë, të telefonojë, të kërkojë ndihmë, gjë që do ta bënte Serbinë disa herë të mirëmendohet, të mirëkalkulojë a vlen të përfshihet në aventura të tilla. Pra, fakti që Kosovës i krijohet kjo mundësi e jashtëzakonshme është një garanci tjetër shtesë sa i përket sigurisë së saj, si të jashtme ashtu edhe të brendshme. Prandaj, pavarësisht interpretimeve cinike që mund të jenë, që ky bord e kjo iniciativë mund të shihen me dyshim në aspektin ndërkombëtar, unë insistoj që kjo është interes strategjik i Kosovës dhe Kosova nuk e ka luksin, do të thotë, të ketë dilema aty ku ka ftesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket nevojës së ruajtjes dhe të konsolidimit të partneritetit ndërmjet dy vendeve”, tha ai.
Analistja politike Afërdita Maliqi ka theksuar se Kosova dhe Shqipëria janë të vetmet vende nga Ballkani Perëndimor pjesë e këtij bordi, gjë që tregon se Kosova vazhdon të jetë në agjendën amerikane.
Maliqi ka nënvizuar se përfshirja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse përbën lajm jashtëzakonisht të mirë, pasi, sipas saj, kjo e afron vendin me anëtarësimin në NATO dhe e vendos në një rang me shtete që janë pjesë e Aleancës ose kanë aleanca me të.
Ajo ka shtuar se prania e shteteve që nuk e njohin Kosovën në Bord krijon mundësi për lobim dhe sigurim të njohjeve të reja.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se vendet aleate kanë kontribuuar me 7 miliardë dollarë për ta ndihmuar Gazën, ndërsa Kosova është zotuar për të ndihmuar me trupa ushtarake përmes Bordit të Paqes.
Duke folur në takimin e parë të Bordit të Paqes të enjten në Uashington, Trump tha pesë vende, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, janë zotuar se do të dërgojnë trupa në forcën ndërkombëtare të sigurisë në Gazë.
Në takimin inaugurues të Bordit të Paqes mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi Kosova është ndër anëtaret themeluese.
Bordi i Paqes, me 27 anëtarë, u themelua më 22 janar në Davos të Zvicrës, në prezencë të presidentit Trump.
Në një postim të shkurtër në Facebook të enjten natën, Osmani e falënderoi Trumpin, duke thënë se “Kosova sot ndjeu peshën e garancisë amerikane”.



Të tjera
Irani përgatitet për t’u përballur për sulmin e SHBA-së
Vr*itet bosi i Kartelit Jalisco Nueva Generación, bandat djegin qyteti turistik në Meksikë
Njerëzit me vetëbesim të lartë kanë tri zakone të këqija