Osmani: Kosova përkrah SHBA-në në veprimet kundër regjimit të Maduro-s

Kosova përkrah SHBA-në në veprimet kundër regjimit të Maduro-s

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova qëndron fuqishëm përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Donald Trump, duke mbështetur veprimet e tyre kundër asaj që ajo e cilëson si “regjim narkoterrorist” në Venezuelë.

 

Në një postim në platformën X, Osmani theksoi se presidenti Trump ka qëndruar në anën e popullit të Venezuelës, duke u përballur me regjimin e Nicolás Maduro-s dhe duke mbrojtur jo vetëm SHBA-në, por edhe pjesën tjetër të botës nga kartelet e drogës dhe krimi i organizuar.

“Populli i Venezuelës meriton liri, demokraci dhe një të ardhme të sunduar nga ligji, jo nga frika. Narkoterrorizmi dhe sundimi autoritar përbëjnë kërcënim për paqen përtej kufijve kombëtarë”, ka shkruar Osmani.

Presidentja ka theksuar se Kosova e kupton mirë ndikimin e vendosmërisë amerikane, duke rikujtuar se vetë liria e Kosovës është dëshmi e lidershipit amerikan. Ajo shtoi se në një moment kur SHBA po përballet me tiraninë në Venezuelë, komuniteti transatlantik duhet të qëndrojë i bashkuar rreth vlerave të përbashkëta dhe udhëheqjes amerikane.

“Kur Amerika udhëheq, ne qëndrojmë me krenari së bashku, sepse liria jonë kolektive varet nga kjo”, përfundoi Osmani.