Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se në të kaluarën Kosova kishte më shumë armatim nëpër oda sesa në kazermat e ushtrisë, duke e cilësuar këtë si tregues të mungesës së kapaciteteve shtetërore të mbrojtjes.
“Duke qenë të gatshëm, duke qenë të aftë të mbrojmë veten tonë, ne garantojmë paqen në vendin tonë, për veten tonë, por edhe paqen rajonale. Nga librat e historisë dhe nga rrëfimet e gjithë të moshuarve, ne e dimë që Serbia njëherë na sulmonte e pastaj mendonte. Ne nuk synojmë të bëjmë ushtri më të madhe se Serbia, mirëpo me ushtrinë që kemi ne e bëjmë atë që të mendojë dy herë në mënyrë që kurrë më të mos guxojë të veprojë asnjëherë”, tha Kurti sonte gjatë një fjalimi të mbajtur në Cyrih në një takim me bashkatdhetarë.
Sipas Kurtit, për të tretin vit me radhë, Republika e Kosovës ka investuar mbi 2 për qind të Bruto Produktit Vendor në mbrojtje. Ai ka thënë se buxheti për ushtrinë është trefishuar, numri i ushtarëve është dyfishuar, trajnimet për oficerë dhe nënoficerë janë katërfishuar, ndërsa shpenzimet për pajisje, armatime dhe municione janë rritur shumëfish.
Kurti shtoi se në një periudhë të mëhershme kishte më shumë armatim edhe në Policinë e Kosovës sesa në ushtri, duke përsëritur se situata e atëhershme tregonte nevojën urgjente për ndërtimin e kapaciteteve të mirëfillta ushtarake.
“Bile, më shumë ka pasur armatim e municion nëpër oda sesa në kazerma të ushtrisë”, u shpreh Kurti, duke theksuar se sot Kosova po ndërton një ushtri profesionale dhe të aftë për mbrojtjen e vendit.



Të tjera
Si e sheh SHBA-ja rajonin?
Fermerët francezë në protesta, bllokojnë unazën rrugore të qytetit Arras
Arsyet pse jeni të uritur vazhdimisht