Kiçmari: Kosova po përfaqësohet dinjitetshëm në Osaka Expo 2025

Kosova po përfaqësohet dinjitetshëm në Osaka Expo 2025

Sabri Kiçmari, ambasador i Kosovës në Japoni, ka folur për raportet mes Kosovës e Japonisë, në aspektin politik, por me theks të veçantë na atë ekonomik. Ai në një intervistë për RTK ka folur për investimet e Japonisë në Kosovë, si dhe aktivitetin e tij si ambasador atje në veçanti angazhimin e  tij për pjesëmarrjen e Kosovës në ekspozitën ndërkombëtare Osaka Expo 2025,ku tha se Kosova ka marrë pjesë në mënyrë të barabartë me shtetet tjera.

“Për këtë ngjarje është punuar dy vjet me radhë, që të prezantojmë vlerat tona kulturore, politike e shoqërore dhe të promovojmë mundësitë e investimeve të Japonisë në Kosovë dhe të vendeve të tjera”, tha Kiçmari.

Ai shtoi se janë përgatitur një numër i mirë i programeve promovuese për historikun e shtetësisë së Kosovës. Sipas tij, Kosova po përfaqësohet dinjitetshëm në Osaka Expo 2025.

Kiçmari, duke folur për shkëmbimin tregtar mes Kosovës e Japonisë, tha se niveli i eksportit dhe importit mes këtyre dy vendeve nuk është i dëshirueshëm, derisa përmendi një sërë  faktorësh që ndikojnë këtë gjendje, fjala vjen distanca gjeografike, etj.

Kiçmari ka folur për JICA, projekt japonez, e cila i ka dhënë mbështetje Radiotelevizionit të Kosovës, me kompetencë, durim, siguri e elegancë.

Ai përmendi edhe projekte të tjera të JICA-s në Kosovë e që janë matja e cilësisë së ajrit, si dhe në sferën e shëndetësisë, e arsimit, në komunat e Kosovës.