Sveçla në Bruksel: Kosova shembull në riatdhesim dhe riintegrim, kërkon partneritete më të forta për sigurinë globale

Kosova shembull në riatdhesim dhe riintegrim, kërkon partneritete më të forta për sigurinë globale

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka marrë pjesë në takimin e 23-të të Bordit të GCERF-it në Bruksel, ku së bashku me partnerët ndërkombëtarë është diskutuar për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe forcimin e sigurisë kolektive, përcjell KosovaPost.

Sveçla ka thënë se në këtë forum ka prezantuar përvojën e Kosovës në rikthimin, rehabilitimin dhe riintegrimin e shtetasve të kthyer nga zonat e konfliktit, duke theksuar se vendi ka treguar “lidership dhe rezultate të prekshme”, veçanërisht në mbrojtjen e grave dhe fëmijëve.

Ai ka theksuar para pjesëmarrësve se sfidat e sigurisë po evoluojnë vazhdimisht dhe kërkojnë angazhim të qëndrueshëm, bashkëpunim të ngushtë ndërinstitucional dhe partneritete të fuqishme ndërkombëtare. Në këtë drejtim, ministri vlerësoi lart bashkëpunimin me GCERF-in dhe mbështetjen e aleatëve të Kosovës.

Sveçla rikujtoi se vullneti politik i institucioneve të vendit ka qenë çelësi i suksesit në riatdhesimin dhe riintegrimin e 123 shtetasve të Kosovës nga veriu i Sirisë, proces për të cilin tha se është udhëhequr me përgjegjësi dhe duke pasur në fokus sigurinë dhe të ardhmen e qytetarëve.

Gjatë konferencës për media të organizuar nga GCERF-i, ai prezantoi edhe arritjet e Kosovës që, sipas tij, janë reflektuar pozitivisht në raportet ndërkombëtare kredibile.

Sveçla shtoi se Kosova do të vazhdojë të kontribuojë në iniciativat globale të sigurisë dhe të mbetet shembull i praktikave të mira në rajon. Sipas tij, përkushtimi i institucioneve mbetet i qartë: “të mbrojmë qytetarët dhe të ndërtojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë.”