Sot është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur. Kur janë bërë mbi 26 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, zyrtarisht edhe rreth 1600 persona figurojnë si të zhdukur.
Në kujtim të kësaj dite, sonte në orën 20:00, Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë inauguron memorialin “Pema e jetëve” në platonë mbi parkingun nëntokësor, të Sheshit Xhorxh Bush në Prishtinë.
Gjithashtu, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR KS) shënon Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve me një aksion ku do të lexohen/dëgjohen emrat e personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.
Dje, krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e kryeparlamentari Dimal Basha kanë bërë homazhe te Monumenti i Personave të Zhdukur, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve me Dhunë.
E para e shtetit tha se Serbia çdo ditë kryen krim kundër njerëzimit dhe çdo ditë shkel Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
“Përtej krimeve që janë kryer në vitin 1998-1999 nga ana e Serbisë, zhdukja me dhunë e personave, të dashurve të shumë familjeve këtu në Kosovë, është krim që Serbia e kryen çdo ditë duke i mbajtur ata në varreza masive, duke mos respektuar marrëveshjet e arritura në Bruksel për ta zbardhur fatin e këtyre të zhdukurve me dhunë”, deklaroi Osmani.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bëri të ditur se institucionet shtetërore po punojnë me përkushtim për gjetjen e të zhdukurve.
“Vetëm gjatë vitit të fundit kemi gjurmuar mbi 23 lokacione të ndryshme, ndërsa këtë vit kemi realizuar 18 aktivitete kërkimore për zbulimin e mbetjeve mortore të më të dashurve tanë,” tha Kurti.
Kurse kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi zbardhjen sa më të shpejtë të fatit të personave të pagjetur.
“Ky është një obligim moral dhe ndërkombëtar që Serbia të tregojë sa më parë vendndodhjen e masakrave dhe të personave të zhdukur,” tha ai.
Aktualisht, në Kosovë ende figurojnë të zhdukur rreth 1,600 persona, fati i të cilëve mbetet ende i panjohur./RTK/



Të tjera
Në përfaqësitë diplomatike lejohet identifikimi për votim me dokumente të skaduara të vlefshmërisë të Republikës së Kosovës
Në Suharekë pati më shumë se mbështetje, pati besim
Më shumë para në fund të muajit për punëtorë