Kosova ka mbetur jashtë përfitimet nga mbështetja e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili ndau 171 milionë euro, me fokus në zhvillimin e infrastrukturës dhe forcimin e sektorit privat.
Kjo për shkak se Kosova ende nuk i ka përmbushur kushtet ligjore për të pranuar pagesa, pasi nuk e ka ratifikuar Marrëveshjen e Kredisë dhe Fondeve në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier, i cili tha se BE shpreson që çështja të zgjidhet së shpejti.
Lidhur me këtë humbje të mundësisë së Kosovës për të përfituar nga milionat e KE-së, për Gazeta Blic janë deklaruar ekspertët e ekonomisë.
Arton Muhaxheri, njohës i çështjeve të ekonomisë, thotë se kjo është paaftësi shtetërore dhe skandal politik me pasoja direkte ekonomike.
Ai për Gazeta Blic thotë se kjo dëshmon se Kosova është shtet që nuk arrin të funksionojë si i tillë.
“Fakti që Kosova ka dështuar të përfitojë 171 milionë euro nga Komisioni Evropian nuk është gabim procedural, por akt i pastër paaftësie shtetërore. Ky është një skandal politik me pasoja direkte ekonomike. Mjetet ishin në tavolinë, kushtet ishin të qarta, por partitë politike kanë zgjedhur paralizën, konfliktin dhe kalkulimet e ulëta partiake në vend të interesit publik. Kjo e ekspozon Kosovën si shtet që nuk arrin të funksionojë as në çështjet më elementare dhe e diskrediton seriozisht në sytë e partnerëve evropianë”, është shprehur ai.
Sipas Muhaxherit, dëmi ekonomik është brutal, ku kjo është goditje ndaj standardit jetësor dhe është dëm i qëllimshëm politik.
“Dëmi ekonomik është brutal. 171 milionë euro të humbura do të thotë projekte të bllokuara, investime të anuluara, vende pune të parealizuara dhe presion shtesë mbi një ekonomi tashmë të brishtë. Në një kohë kur qytetarët përballen me rritje çmimesh, varfëri dhe pasiguri ekonomike, ky dështim përbën goditje të drejtpërdrejtë ndaj standardit jetësor. Kjo nuk është më thjesht papërgjegjësi — është dëm i qëllimshëm politik ndaj interesit publik dhe një mesazh i qartë se institucionet kanë dështuar tërësisht në menaxhimin e shtetit”, ka vlerësuar eksperti i ekonomisë, Artan Muhaxheri.
Ndërsa, njohësi tjetër i ekonomisë, Jakup Bellaqa, thotë për Gazeta Blic se mos përfitimi i Kosovës nga këto mjete ndikon negativisht në ekonominë e vendit.
“Realisht Komisioni Evropian ka ndarë rreth 171 milionë euro për mbështetjen e Ballkanit Perëndimor por Kosova nuk ka përfituar nga këto mjete, për shkak të mos miratimit të marrëveshjeve në Kuvend. Kjo në aspektin ekonomik ndikon negativisht sepse nuk përfiton nga këto mjete, gjithashtu ndikon edhe në largimin e investitorëve të huaj që të investojnë në sektorët strategjik të ekonomisë sepse e shohin që ka pasiguri juridike dhe mos sundim të ligjit dhe ambient/ klimë të papërshtatshme, që rrjedhimisht e gjithë kjo ndikon negativisht si në ekonomi në sektorin privat dhe publik, dhe në mirëqenien e qytetarëve dhe në standardin e jetesës dhe në komponentët e bruto produktit vendor”, ka deklaruar Bellaqa./Gazeta Blic/



Të tjera
Bugaqku: Vjosa Osmani ka qenë totalisht në shërbim të Vetëvendosjes
E rëndë në Itali, rrëzohet një avion, një i vdekur dhe një i plagosur
A do të jetë Abdixhiku sërish kryetar i LDK-së? Kjo është përgjigjja e Canajt