Dikur, Kosova ishte ndër vendet me numrin më të madh të qytetarëve që kërkonin azil në shtetet e Bashkimit Evropian, veçanërisht në vitet pas luftës dhe gjatë krizave ekonomike. Sot, situata ka ndryshuar dukshëm.
Nga një vend prej të cilit mijëra njerëz kërkonin strehim në Evropë, Kosova është shndërruar në një vend pritës për azilkërkues dhe migrantë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut.
Ky ndryshim pasqyron një transformim të madh shoqëror dhe institucional, ku autoritetet kosovare po luajnë rol aktiv në menaxhimin e flukseve migratore dhe ofrimin e mbrojtjes ndërkombëtare për personat në nevojë.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka publikuar raportin tremujor për periudhën korrik–shtator 2025, ku vërehen rritje të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtaredhe lëvizje të migrantëve, krahas një uljeje të kërkesave për heqje dorë nga shtetësia e Kosovës, transmeton KosovaNews.
Sipas të dhënave, 76 persona kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare në Qendrën e Azilit gjatë kësaj periudhe — prej tyre 55 meshkuj dhe 21 femra. Kjo paraqet një rritje prej 81% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur ishin pranuar vetëm 41 aplikime.
Në bazë të shtetësisë, shtetasit e Palestinës kryesojnë me 29% të kërkesave, të pasuar nga Egjipti me 25%, Jordania me 17%, ndërsa pjesa tjetër i përket shteteve të tjera me përqindje më të ulëta.
Ndërkohë, MPB raporton se është ulur numri i kërkesave për lirim nga shtetësia e Kosovës. Gjatë periudhës korrik–shtator 2025 janë pranuar 128 kërkesa dhe janë marrë 217 vendime, prej të cilave 213 pozitive dhe 4 negative. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin 268 vendime, kjo përbën një rënie prej 19%.
Në listën e shteteve që kanë garantuar shtetësinë për qytetarët e Kosovës prin:
- Austria me 56%,
- Sllovenia me 29%,
- Gjermania me 4.7%,
- Kroacia me 3.2%,
ndërsa vendet e tjera përbëjnë 7% të rasteve.
Sa i përket gjinisë, 51% e aplikuesve janë meshkuj dhe 49% femra.
Në Qendrën e Pritjes së Përkohshme për Migrantë (QPPM), gjatë të njëjtës periudhë janë akomoduar 247 emigrantë, duke shënuar rritje prej 4% krahasuar me vitin 2024 (238 emigrantë). Numri më i madh i migrantëve vjen nga Maroku, Egjipti, Siria, Palestina dhe Algjeria.
Sipas MPB-së, këto të dhëna pasqyrojnë trendin në rritje të emigrimit dhe të kërkesave për azil, si dhe interesin e vazhdueshëm të qytetarëve të Kosovës për shtetësi në vendet e Bashkimit Evropian.



Të tjera
Çeku prezanton projektet konkrete në Barilevë
Lu*fta e çlirimtarëve nuk mund të baltoset
Si t’i ruani frutat dhe perimet