U.D. Kryeshefi Ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT), Shaban Neziri, ka pritur sot në takim drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Petrit Ajeti.
Sipas njoftimit të KOSTT-it gjatë takimit u diskutua për rëndësinë strategjike të sektorit energjetik, infrastrukturën kritike të KOSTT-it, planet zhvillimore, si dhe për çështjet e sigurisë shtetërore që lidhen me mbrojtjen dhe funksionimin e qëndrueshëm të infrastrukturës vitale.
“Në kuadër të vizitës, u prezantua nga afër puna dhe roli i KOSTT-it për sigurinë e sistemit elektroenergjetik, si dhe masat dhe kapacitetet që kontribuojnë në stabilitetin dhe besueshmërinë e rrjetit”, thuhet në njoftim.
Tutje theksohet se takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit institucional për identifikimin dhe adresimin e rreziqeve që mund të prekin sigurinë e Kosovës, me fokus të veçantë te kërcënimet ndaj infrastrukturës vitale.
“Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e parandalimit dhe trajtimit të rreziqeve të sabotimit dhe cenimeve të sigurisë që mund të ndikojnë në funksionimin e sistemit elektroenergjetik”, thuhet tutje në njoftim.
KOSTT vlerëson se bashkëpunimi ndërinstitucional është thelbësor për shkëmbimin e informatave, koordinimin e masave parandaluese dhe forcimin e mekanizmave mbrojtës të infrastrukturës kritike, duke siguruar reagim të koordinuar dhe qëndrueshmëri më të lartë përballë sfidave të sigurisë.
“KOSTT e vlerëson lart këtë vizitë si dëshmi e angazhimit të përbashkët për forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturës energjetike në Republikën e Kosovës”, thuhet në fund të njoftimit.



Të tjera
Rusia do të kryente një atentat të rremë ndaj Viktor Orban për të fituar zgjedhjet
Frutat që të ndihmojnë lëkurën të duket më mirë
Franca mbështet Kosovën në rrugën drejt BE-së