KOSTT e ZRRE kritikohen për gabime që po u kushtojnë qytetarëve në fatura

Dështimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji për të mbikëqyrur në mënyrë efektive KOSTT-in dhe Fondin për Burimet e Ripërtërishme ka bërë që konsumatorët, në faturat mujore më 2023, të paguajnë 2.41 euro më shumë për çdo megavat të shpenzuar.

Kjo është një nga shumë gjetjet problematike në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit lidhur menaxhimin e Fondit për Burimet e Ripërtërishme të Energjisë.

Raporti veçon një rast ku në mungesë të monitorimit nga Rregullatori janë raportuar të dhëna të gabuara nga KOSTT-i, e që kanë kaluar pa u identifikuar.

Në shqyrtimin tarifor për vitin 2023, KOSTT-i, sipas deklaratës, kishte paraqitur gabimisht teprica në vlerë 4.3 milionë euro në Fondin për vitin 2022, edhe pse mbetja reale ishte 1.2 milionë euro.

Miratimi i të hyrave pa verifikim, kishte shkaktuar që për vitin 2023 në Fond të llogariten të hyra nga tarifa për 3 milionë euro më pak.

“Gabime të tilla ndikojnë direkt në vlerën e tarifës për Fondin, rrjedhimisht ndikojnë në pagesat e konsumatorëve – qytetarëve. Sepse efekti i një lëshimi të tillë është përcjellë pastaj edhe në vitin 2024 kur edhe ka ndodhur korrigjimi. Pra, gabimi i vitit 2022 është korrigjuar vetëm në vitin 2024 dhe kjo për shkak se ZRRE nuk ka bërë shqyrtim kritik të aplikacionit për shqyrtimin e tarifave vjetore”, thuhet nga raporti ZKA-së.

Më tej raporti zbërthen në detaje koston e bartur – si pasojë – te konsumatorët.

“Në raportin e shqyrtimit të tarifave dhe në vendimin e aprovimit nga ZRRE nuk ishin shpalosur shpjegime se cilët ishin shkaktarët për rritjen e tarifës së BRE nga 0.73 Euro/MWh sa ishte në vitin 2022 në 3.14 euro/MWh në vitin 2023. Si rrjedhojë, gjatë vitit 2023 kjo rritje ka bërë që për çdo MWh të shpenzuar konsumatorët të paguajnë 2.41 euro në muaj më shumë vetëm për tarifën e Fondit krahasuar me vitin 2022”.

Për vitin 2023, KOSTT-i kishte planifikuar që realizojë të hyra nga tarifa 16.7 milionë euro, pa përfshirë përshtatjet e vitit paraprak prej 4.4 milionë eurosh, të deklaruara si të mbetura, ndërsa kishte realizuar të hyra 12.6 milionë euro.

Auditimi konstaton që Rregullatori nuk kishte kërkuar asnjë shpjegim nga KOSTT-i lidhur me këtë çështje, duke u mjaftuar me shqyrtimin e informacioneve vjetore gjatë përshtatjeve për të hyrat maksimale të lejuara për këtë ndërmarrje.