Prishtina e Mitrovica ndër komunat që po prijnë me numrin e votuesve

KQZ aprovon mbi 7 mijë pako me fletëvotime jashtë Kosovës dhe refuzon mbi 2 mijë të tjera

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se mbi 9,800 pako të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës, për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave, janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Tëvë1:

“Deri të premten, në orën 10:00, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë sjellur në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 9,800, prej të cilave janë aprovuar më shumë se 7,240, ndërkaq janë refuzuar rreth 2,570.”

Ai tutje poashtu ka treguar edhe arsyjen e refuzimin e fletëvotimeve.

“Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike që votuesi e pranon nga KQZ.”

Sipas KQZ-së, më 11 dhe 12 nëntor janë tërhequr 13,084 pako nga kutitë postare të 22 shteteve të botës, shumica e të cilave tashmë janë sjellë në Kosovë.

Në përfundim të procesit të vlerësimit, KQZ do të publikojë të dhënat për çdo komunë për numrin e pakove që do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.