Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar procesin e verifikimit dhe numërimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Prishtinë, duke shënuar mbylljen e këtij procesi në të gjitha komunat e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka njoftuar për RTKlive se tani aktivitetet janë përqendruar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), ku po numërohen fletëvotimet nga diaspora – përfshirë ato nga përfaqësitë diplomatike dhe votimi përmes postës – me synimin që rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të shpallen sa më shpejt.
Sipas Elezit, në QKN e Prishtinës u përfundua verifikimi dhe numërimi i votave nga 262 vendvotime, ndërsa procesi i votimit në komunat e tjera ishte përmbyllur që nga 29 dhjetori 2025.
Nga dy kutitë postare jashtë Kosovës, në Berlin dhe Bernë, janë tërhequr mbi 28,500 pako me fletëvotime, nga të cilat 27,600 janë aprovuar për numërim, ndërsa më shumë se 950 janë refuzuar kryesisht për mungesë të dëftesës së regjistrimit të votuesit.
Në procesin e numërimit do të përfshihen gjithashtu fletëvotimet me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta. Sipas të dhënave preliminare, janë evidentuar mbi 9,900 votues me kusht dhe 2,860 votues me nevoja të veçanta në 38 komuna të vendit.
KQZ synon që, pas përfundimit të numërimit të votave të diasporës dhe postës, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të shpallen sa më shpejt.



Të tjera
Presioni për të qenë i bukur në Kore të Jugut
Ndërhyrja e SHBA-ve në Venezuelë është e ligjshme
Zjarri përfshin një objekt pranë stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, s’ka të lënduar