KQZ shpall sot rezultatet e zgjedhjeve, rinumërimi nuk sjell ndryshime

KQZ shpall sot rezultatet e zgjedhjeve, rinumërimi nuk sjell ndryshime

Pas një odisejade të gjatë të numërimit dhe rinumërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të shpallë sot rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

 

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se sot në orën 10:00 do të mbahet mbledhja e Komisionit, ku në rend të ditës është shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

Sipas tij, ka përfunduar procesi i rinumërimit të 2,557 vendvotimeve, që shënon zyrtarisht përmbylljen e këtij procesi nga Komisioni.

Megjithatë, me shpalljen e rezultateve përfundimtare nuk përmbyllet edhe gjithë procesi, pasi subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtën të paraqesin ankesat e tyre brenda 48 orëve nga shpallja.

“Sa i përket kohës që do të na marrë certifikimi i rezultateve, kjo varet krejtësisht nga ankesat e paraqitura,” ka deklaruar Elezi.

Rinumërimi i votave nuk ka sjellë ndryshime në ndarjen e ulëseve të deputetëve, por ka ndryshuar numrin e votave të deputetëve brenda partive. Gjithashtu, rinumërimi ka nxjerrë dyshime për manipulime të brendshme, pasi në disa subjekte ndryshimi ka arritur deri në 6,000 vota për një deputet.

Për këto manipulime, deri tani janë intervistuar dhe paraburgosur dhjetëra të dyshuar në disa komuna, më së shumti në Prizren.