Krasniqi ia siguron Dritës fitoren dramatike – Ekonomia Online

Krasniqi ia siguron Dritës fitoren dramatike

Besnik Krasniqi ka qenë sërish vendimtar me gol për skuadrën e Dritës, që të shtunën regjistroi fitore dramatike.

Pikët e plota në kuadër të xhiros së 20-të të elitës së futbollit kosovar, Drita i fitoi vetëm falë golit të mbrojtësit të krahut të djathtë.

Krasniqi, që në këtë ndeshje ishte kapiten, shënoi me kokë nga afërsia. Fillimisht, Albert Dabiqaj u shkëput më së larti në zonë dhe gjuajti me kokë. Topi po shkonte jashtë kornizës së portës, por afër ishte Krasniqi që e dërgoi atë ndër këmbët e portierit të “kuqezinjve”, Kenan Haxhihamza. Goli i Krasniqit u pranua vetëm pas rishikimit të situatës në VAR, pasi dyshohej për pozitë jashtë loje.

Për kampionen në fuqi të Kosovës ishte fitore shumë e rëndësishme, ndonëse u arrit me shumë vështirësi.

Drita pas 20 ndeshjeve tani i ka 35 pikë në pozitën e dytë, një më pak se Ballkani lider, dhe dy më shumë se Prishtina e treta. Ballkani e Prishtina e kanë nga një ndeshje më pak të luajtur. Drenica mbetet me 21 pikë në pozitën e tetë, përkatësisht të barazhit. I ka vetëm dy pikë më shumë se Ferizaj i parafundit dhe Prishtina e Re që është e fundit në tabelë me 15 pikë.

Ballkani të hënën nga ora 13:00 e pret Malishevën në Suharekë, derisa Prishtina të dielën luan nga ora 18:00 në “Fadil Vokrri” në derbin ndaj Llapit.

Drita në mesjavë u eliminua nga Kupa e Kosovës, ndërsa tani është në garë për mbrojtje të titullit. Në garë është edhe në Ligën e Konferencës, ku do të luajë ndaj Celjes në plejofin e fazës nokaut, shkruan Koha.net

Haxhihamza i Drenicës për kohë të gjatë e mbajti skuadrën pa pranuar gol në ndeshjen e së shtunës, që u zhvillua në terrenin me bar sintetik në Gjilan. Ai bëri disa pritje vendimtare. Pritje shumë të mira, duke e shpëtuar skuadrën pa pranuar gol, ka bërë edhe Faton Maloku, portieri i Dritës.