Krasniqi ka deklaruar edhe se, kryeparlamentari i ri, Dimal Basha, s’gëzon asnjë kompetencë të plotë për të ushtruar funksionet e tij derisa të përfundojë seanca konstituive.
‘‘Zgjedhja e Kryetarit dhe e pesë nënkryetarëve të Kuvendit është e paraparë në të njëjtin nen të Kushtetutës (neni 67.1). Këto dy akte nuk mund të ndahen mes vete, pasi vetëm me zgjedhjen e Kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve Kuvendi konsiderohet i konstituar.
Kryetari i sapozgjedhur i Kuvendit nuk gëzon asnjë kompetencë të plotë për të ushtruar funksionet e tij derisa të përfundojë seanca konstituive. Deri në atë moment, roli i tij është thjesht teknik: të drejtojë seancën konstituive, e jo të ushtrojë funksione të tjera’’, ka shkruar ai.
‘‘Madje, rregullorja e mëhershme e Kuvendit as nuk e njihte mundësinë që kryetari i zgjedhur të merrte drejtimin e seancës pa qenë të zgjedhur edhe nënkryetarët; në atë kohë, seanca konstituive udhëhiqej deri në fund nga deputeti më i vjetër në moshë’’, ka vijuar ai.
Më tej, ai ka komentuar edhe mbledhjen e thirrur nga Basha duke thënë se e njëjta është e jashtëligjshme.
‘‘Në këtë kuptim, thirrja e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit pa qenë të zgjedhur të gjithë pesë nënkryetarët dhe pa qenë Kuvendi i konstituar, është e jashtëligjshme. Çdo vendim i tillë është i cenuar në legjitimitet dhe asnjë prej tre nënkryetarëve të zgjedhur në mënyrë ligjore nuk duhet të marrin pjesë në këtë mbledhje’’, ka shtuar ai.
Në fund, Krasniqi ka thënë se procesi i konstituimit duhet të rikthehet aty ku ka mbetur, tek zgjedhja e dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve joshumicë.
‘‘Procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të rikthehet aty ku ka mbetur: tek zgjedhja e dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve joshumicë. Vetëm pas përmbylljes së këtij hapi, Kuvendi mund të konsiderohet i konstituar dhe Kryesia e tij e ligjshme për të ushtruar funksionet e parashikuara me Kushtetutë dhe Rregullore’’, ka përfunduar ai. /GazetaExpress



Të tjera
Hani rrush – do të keni shikim më të mirë
I vështirë normalizimi i marrëdhënieve me regjim autoritar në Serbi
Fëmijët e sotëm më të palumtur nga qëndrimi i gjatë në telefona