Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin, nisi të hënën dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku po zhvillohet procesi gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-drejtuesve të tjerë të UÇK-së. Seanca shënoi fillimin e fazës së mbrojtjes, pas afro dy vjetësh dëgjimesh nga Prokuroria Speciale.
Në këtë seancë, trupi gjykues pranoi kërkesën e mbrojtjes së Thaçit për përfshirjen e një dokumenti shtesë në dosje. Rubin, ish-kryezëdhënës i Departamentit të Shtetit amerikan dhe një nga figurat kyçe gjatë procesit të Rambujesë, dëshmoi për takimet e tij me udhëheqësit shqiptarë të Kosovës në fillim të viteve ’90.
“Kam realizuar vizita në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1991, 1992 dhe 1993. Gjatë këtyre udhëtimeve kam takuar edhe udhëheqës të Kosovës. Fillimisht kisha vizituar Kroacinë dhe Serbinë, dhe më pas kisha qenë në Bosnje”, deklaroi Rubin.
Ai shtoi se zhvillimet në Kosovë ishin vlerësuar si shumë të rëndësishme nga Shtetet e Bashkuara, pasi ekzistonte rreziku që konflikti të përhapej më tej.
Rubin kujtoi edhe takimin e fundit me Thaçin, që sipas tij kishte ndodhur në vitin 2019, ndërkohë që në vitin 2018 kishte punuar me qeverinë e Kosovës përmes një kontrate lobimi për çështjen e paqes me Serbinë.
“Kjo kontratë kishte të bënte me përfaqësimin që bëja në përpjekje për të arritur paqe me Serbinë. Kemi punuar së bashku për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të sjellë një paqe përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë”, theksoi ai.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, e pyeti Rubinin për një takim të zhvilluar para 26 vitesh, duke përmendur tre objektiva që, sipas tij, Thaçi kishte kërkuar: marrëveshje politike, garanci ndërkombëtare nga NATO dhe SHBA, si dhe ndërtimin e institucioneve demokratike që do t’i jepnin kosovarëve të drejtën për vetëvendosje pas një faze tranzitore.
“Nuk mund të them saktësisht fjalët që janë thënë, por më kujtohet se përputhet me atë që ai ka thënë gjatë këtyre bisedimeve”, u përgjigj Rubin, duke nënvizuar se kujtesa e tij është e kufizuar për shkak të kohës së kaluar.
Në vijim të dëshmisë, Rubin foli edhe për ngjarjet e Konferencës së Rambujesë në vitin 1999, duke rikujtuar një episod kur ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, i kishte bërë një paralajmërim të drejtpërdrejtë Thaçit:
“Ti personalisht do të jesh përgjegjës për vdekjen e njerëzve të tu nëse nuk ndërron mendje. Lidershipi është për të marrë vendime të vështira. E di që është shumë e vështirë të heqësh dorë nga pavarësia, por nëse nuk pranon, do të humbësh mbështetjen e Perëndimit”.
Sipas Rubin, ishte kërkuar që në dokumentin e Rambujesë të mos përmendej fjala “pavarësi”, për të mos penguar arritjen e marrëveshjes, por Thaçi kishte kundërshtuar një gjë të tillë.
“Thaçi na tha: ‘Po nuk e thashë fjalën pavarësi, mua do të më konsiderojnë si person që ka hequr dorë nga pavarësia’. Personat që kërkonin pavarësinë e Kosovës ishin maksimalistë dhe donin të gjitha gjërat e mundshme”, tregoi ai.
Duke folur për rolin e Thaçit gjatë negociatave, Rubin tha se kishte kuptuar se ai nuk kishte autoritet të plotë për të marrë vendime vetë, por vepronte në bazë të një strukture të brendshme të organizuar.
“Ne nuk e kuptonim mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë që ai nuk kishte autoritet dhe as nuk mund të diktonte asgjë. Ai thjesht pasqyronte vendimet nga ajo zyra dikur e fshehur — zyra e shqiptarëve që merrnin vendime në grup”.
“Ai duhej të merrte lejen prej tyre, nuk kishte vetë mundësi dhe nuk ishte në gjendje të diktonte rregulla apo kushte”, përfundoi Rubin.
Të tjera
IKSHPK apelon të mos përdoret uji i Badocit për pije
Vasfije Krasniqi-Goodman për UÇK-në: Shpëtimtarët e jetës sime
Provat e dëshmitë do fshijnë njollat e fantazisë mbi UÇK-në