Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), njëherësh edhe President i Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë (ECRB), Ymer Fejzullahu, ka kryesuar takimin e 63-të të Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë, i cili u mbajt në Athinë.
“Takimi i Bordit Rregullativ të Komunitetit të Energjisë përfshiu çështjet kyçe rregullatore dhe zhvillimet më të fundit në sektorin e energjisë brenda Komunitetit të Energjisë. Diskutimet nisën me prezantimin e zhvillimeve të fundit nga ACER, vijuan me përditësimet e autoriteteve rregullatore të vendeve kontraktuese, si dhe me raportimet e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë mbi zhvillimet rajonale”, njofton ZRRE.
Një pjesë e rëndësishme e agjendës iu kushtua edhe zhvillimit të mekanizmave rajonalë për menaxhimin e kapaciteteve të transmetimit, të cilët janë thelbësorë për garantimin e sigurisë së furnizimit dhe rritjen e efikasitetit të tregut rajonal të energjisë elektrike.
Në kuadër të takimit u mbajtën gjithashtu diskutime brenda grupeve punuese të ECRB-së, përfshirë atë për Konsumatorët dhe Tregjet me Pakicë, për Energjinë Elektrike, për Gazin si dhe për zbatimin e rregullores REMIT. Të gjitha grupet punuese në kuadër të ECRB-së prezantuan të arriturat gjatë këtij në ndërtimin e një tregu funksional dhe të qendrueshëm, por edhe sfidat e tyre gjatë këtij viti.
Kryesuesi i Bordit të ZRRE prezantoi para të pranishmëve edhe Programin e Punës së ECRB për vitin 2026, dhe në fund u miratua njëzëri nga gjithë anëtarët e ECRB.
Në fund Kryesuesi i Bordit të ZRRE Fejzullahu falënderoi të gjithë anëtarët në kuadër të ECRB për punën dhe sukseset e arritura gjatë vitit 2025, dhe potencoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet palëve kontraktuese edhe gjatë vitit 2026 me qëllim të krijimit të një tregu energjetik transparent, konkurrues dhe të integruar.



Të tjera
Katër mënyra për ta kuruar shpejt mykun e gojës
Kosova e sheh Finlandën si shembull dhe model
Shpesh e injorojmë, kjo është bima për mbrojtjen e mëlçisë