Ish-deputeti Vesel Makolli ka reaguar ndaj situatës politike në vend, duke paralajmëruar se krijimi i krizave institucionale në një moment të tensionuar ndërkombëtar mund të ketë pasoja serioze për Kosovën.
Makolli theksoi se në kohën kur në Evropë dhe në Lindjen e Mesme po zhvillohen dy luftëra të mëdha, të cilat rrezikojnë përhapjen e një konflikti më të gjerë global, krijimi i krizave politike në Kosovë është i papërgjegjshëm.
“Në kohën kur në Evropë dhe në Lindjen e Mesme po zhvillohen dy luftëra që rrezikojnë të përshkallëzohen në përmasa të një lufte botërore dhe që do të kishin impakt të menjëhershëm në rajonin fragjil të Ballkanit, krijimi i krizave politike dhe lënia e vendit pa institucione legjitime është një nonsens që rrezikon shtetësinë e Kosovës”, deklaroi ai.
Sipas Makollit, kryeministri Albin Kurti, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025, në të cilat fitoi 51 për qind të votave, nuk ka ndërmarrë hapa për të krijuar një qeveri stabile përmes bashkëqeverisjes.
Sipas tij, kjo krizë institucionale është në interes të Serbisë dhe Rusisë.
Makolli i drejtoi edhe një pyetje kryeministrit Kurti.
“Quo vadis, kryeministër?”, tha ai, duke shtuar se shteti duhet të vendoset mbi çdo interes tjetër.
Ai vlerësoi se për të dalë nga kriza, duhet kompromis politik dhe zgjedhja e presidentit nga opozita.
“Dy nga tri pozitat kyçe të hierarkisë shtetërore udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, prandaj është demokratike dhe e shëndoshë që pozita të bëjë lëshime dhe presidenti të zgjidhet nga opozita, përkatësisht nga ajo parti me të cilën do të arrihej marrëveshje për bashkëqeverisje”, tha Makolli.
Në fund, ai bëri thirrje që interesat shtetërore të vendosen mbi ato partiake.



Të tjera
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është shkelje kushtetuese
Raporti historik për duhanin para 57 viteve e radhiste atë si faktorin kryesor që shkakton kancerin në mushkëri
VV-ja ishte e bindur që Glauk Konjufca ka më shumë vota në Kuvend sesa Vjosa Osmani