Vendimi i Gjykatës Speciale për të rrëzuar mocionin e mbrojtjes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët kërkuan largimin e disa akuzave, ka nxitur reagime në Kosovë. Specialja po kritikohet për mungesë objektiviteti si dhe veprime që “shkojnë në favor të Serbisë”.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë marrë vendim për rrëzimin e tërësishëm të mocionit të mbrojtjes së ish-eprorëve të UÇK-së përmes së cilit kërkohej largimi i disa akuzave nga aktakuza, që përfshinte periudhën për incidentet para majit të vitit 1998 dhe pas 20 qershorit 1999.
Avokatët e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dorëzuan parashtrim të përbashkët duke kërkuar që akuzat për incidentet para kësaj periudhe kohore [para majit ’98 dhe pas 20 qershorit ‘99] të largohen nga aktakuza pasi që të njëjtat bien jashtë periudhës së luftës.
Bajraktari thekson se gjykata po e interpreton në mënyrë të kufizuar periudhën e luftës në Kosovë.
Bajraktari: Trupi gjykues dështoi për të treguar objektivitet në rastin e trajtimit të rastit ndaj ish-krerëve të UÇK-së
“Trupi gjykues dhe Gjykata Speciale dështoi për të treguar objektivitet në rastin e trajtimit të rastit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Për faktin se çështja e objektivitetit në ecurinë e procesit të deritashëm është jashtëzakonisht e diskutueshme. E kishte një mundësi pavarësisht që ishte një interpretim jashtëzakonisht i ngushtë dhe restriktiv i trupit gjykues për sa i përket çështjes së mocionit, përkatësisht kërkesës, megjithatë, kjo është vetëm një stad i procedurës. Mbetet të shihet në procesin në vazhdim do të jetë natyrisht roli dhe angazhimi i palës së mbrojtës jashtëzakonisht i rëndësishëm, dhe nëse kemi drejtësi, atëherë besoj që epilogu do të jetë ai i pritshëm – pafajësia e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sepse me aq sa kemi parë përherë po flasim deri në këtë fazë të procesit nuk janë arritur të argumentohen tezat, përkatësisht akuzat e prokurorisë. Vlen të theksohet që kjo që nga mënyra e funksionimit, përfshirë edhe aktet mbi bazën e cilave funksionon kjo gjykatë e dëshmoi një gjë të tillë, për faktin se vlen të theksohet që pala mbrojtëse ndaj këtij vendimi që u publikua sot, nuk ka fare të drejtë ankesë”, thotë Bajraktari.
Dymbëdhjetë qershori i vitit 1999 shënon ditën kur NATO hyri në Kosovë duke shënuar kështu fundin e luftës në të cilën forcat serbe vranë më shumë se 13.000 njerëz.
Fushata e forcave paqeruajtëse të NATO-s, e cila kishte zgjatur 78 ditë, përfundoi më 10 qershor të atij viti.
Në Kosovë filloi zbarkimi i 50.000 trupave paqeruajtëse të NATO-s me qëllim të sigurimit të paqes në vend. Para kësaj ishte Marrëveshja e Kumanovës sipas së cilës parashihej tërheqja e të gjitha forcave serbe nga Kosova – që ndodhi më 20 qershor 1999.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati thotë për KosovaPress se vendimi i fundit i Speciales është “turp historik” dhe akt që, sipas tij, i shërben vetëm interesave të Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Gucati e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe politik, duke thënë se “nuk ka bazë faktike për të konsideruar si krime lufte ngjarjet e ndodhura pas 12 qershorit 1999”.
Gucati: Është turp çfarë kanë bërë gjyqtarët në Hagë sot
“Është turp çfarë kanë bërë gjyqtarët në Hagë sot me mocionin e mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve… Lufta në Kosovë ka përfunduar me 12 qershor, pas 12 qershorit s’ka pas luftë në Kosovë, dhe nuk e di ku Gjykata Speciale i merr këto fakte, që mund të llogarisë krime lufte pas 12 qershorit, apo [para] maj ‘98, edhe maj ‘98 ku ka pas luftë frontale në Kosovë, në cilin vend?, 98 dhe pas, Serbia ka bërë krime në Kosovë. Ky është turpi më i madhi që Gjykata Speciale ka punuar me Nazim Bllacën dhe shokët e tij… Ky vendim i shërben vetëm Serbisë dhe spiuneve të Serbisë askujt tjetër dhe njerëzve që nuk ja duan të mirën Kosovës”, thotë Gucati.
E monitoruesi i seancave, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për KosovaPress se mbrojtja në këtë rast i ka potencuar disa pika mjaft të rëndësishme, derisa thekson se “konflikti i armatosur në Kosovë ka përfunduar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, pra më 9 qershor”.
Alija: Mbrojtja i ka potencuar disa pika mjaft të rëndësishme
“Dallon në fakt procedura penale në krahasim me procedurën në Kosovë, pra tek ne kundërshtimi i akuzave bëhet në fillim të procedurës, ndërsa tek Dhomat e Specializuara ndodh në fazat pas përfundimit të provave të administruara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Mendoj që mbrojtja i ka potencuar disa pika mjaft të rëndësishme për arsye se është e vërtetë që konflikti i armatosur në Kosovë ka përfunduar me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, pra më 9 qershor, e cila marrëveshje ka parashikuar që brenda 11 ditëve, pra brenda deri më 20 qershor, të largohen forcat serbe nga territori i Kosovës dhe pas largimit të forcave serbe nuk ka pasur shkëmbim të zjarreve, nuk ka pasur luftë dhe kjo periudhë nuk mund të konsiderohet konflikt i armatosur pas 20 qershorit, por krimet kundër njerëzimit mund të kryhen edhe në kohë e paqes, pra edhe pasi të ketë përfunduar lufta. Trupi gjykues nuk është dashur që të hyjë më thellë arsyetimeve, dhe në rast se pikat e caktuara që kanë të bëjnë me akuzat e caktuara duhet të vlerësohen në këtë fazë, sipas tyre. Ato duhet të vlerësohen në përfundim të procesit gjyqësor, pa paragjykuar se cili do të jetë vendimi përfundimtar”, thekson Alija.
Alija tregon se si do të rrjedhë procesi gjyqësor tani e tutje.
Alija: Besoj që vitin tjetër mund të kemi vendimin e shkallës së parë
“[Gjykata] Ata nuk deklarohen, ata do të deklarohen me aktgjykim në fund të përfundimit të administrimit të prova, ata do ta japin mendimet dhe arsyetimet e veta kur do të bëhet shpallja e aktgjykimit, shpresojmë dhe besojmë që gjykata e ka të qartë kur ka filluar dhe kur ka përfunduar lufta në Kosovë… Po tani është faza e parashtrimit të provave nga pala e dëmtuar, pra do të dëgjohen dy ekspertë të propozuar nga avokati i viktimave më pastaj do të dëgjohen edhe dëshmitarë të cilët do të propozohen nga mbrojtja dhe pas dëgjimit të dëshmitarëve, në rast se dëshirojnë të pandehurit të japin deklarata, do të dëgjohen edhe ata dhe më pastaj janë fjalët përmbyllëse dhe aktgjykimi. Besoj që jemi duke shkuar nga fundi i shqyrtimit kryesor. Besoj që vitin tjetër mund të kemi vendimin e shkallës së parë”, shton Alija.
Më herët të mërkurën ka reaguar edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Ai e ka quajtur këtë vendim një “mundësi të humbur”, siç ka shkruar ai, për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet thelbësore të saj: objektivitetin, paanshmërinë dhe respektin për të vërtetën.
“Çlirimtarët, familjet e tyre, ne dhe cilido qytetar i Kosovës nuk kemi kërkuar favore, por vetëm drejtësi. Drejtësi që nuk ndikohet nga paragjykimet. Që nuk e ngatërron lirinë me fajin. Sepse liria nuk është faj. Kurrë s’ka qenë. Kurrë s’do të jetë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ish-eprorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.
Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngarkon Thaçin dhe të tjerët me akuza për krime të pretenduara të luftës. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gjykimi ndaj tyre nisi më 3 prill 2023 – gati tri vjet pas konfirmimit të aktakuzës prej kur ish-krerët e UÇK-së mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Të tjera
Silvinjos më në fund i mbushet mendja, e fton sulmuesin Kristian Shpendi në Kombëtare
Real Madridi fiton ndaj Oviedos, shkëlqen Mbappe
Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të hënën