Muajin e kaluar Banka Qendrore e Republikës së Kosovës kishte njoftuar se ekonomia pritet të rritet me 4.2 për qind gjatë vitit 2025.
Kjo me kontribuues kryesor konsumin, investimet dhe eksportin e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa importi i mallrave dhe shërbimeve pritet të ketë ndikim negativ.
Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje reale prej 4.4 për qind në vitin 2024, e nxitur kryesisht nga konsumi dhe investimet, ndërsa eksportet neto ndikuan negativisht.
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vetëm në tremujorin e katërt të vitit, rritja ekonomike ishte 4.1 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Gjersa, pritet të rritet ekonomia, njohësit e kësaj fushe thonë se situata politike në Kosovë mund të ketë ndikim edhe në ekonomi.
Biznesmeni Burim Piraj, thotë se ngërçi politik me kohë do të ketë ndikim negativ në ekonomi.
Sipas tij, ka shumë çështje që pa institucionet funksionale mund të stagnojnë.
“Çdo ngecje në politikë reflekton dhe në ekonomi, normal që ngërçi politik me kohën do të ketë ndikimin e vetë negativ në ekonomi. Ka shumë çështje që pa institucione funksionale mund të stagnojnë, si p.sh. reformimi i politikave tatimore i premtuar nga të gjithë partitë në fushatën zgjedhore”, deklaron Piraj.
“Inflacioni ra në 0.7% në TM4 2024 nga 1.3% në tremujorin paraprak, i ndikuar nga rënia e çmimeve të energjisë dhe mallrave të tjera. Megjithatë, rritja e çmimeve të ushqimeve ishte faktori kryesor që ndikoi në nivelin e inflacionit”, thuhet në raport.
Në anën tjetër, sipas Pirajt, është e rëndësishme që ekonomia të mbajë konkurueshmërinë në treg.
“E që përditësimi i politikave tatimore dhe pagesa e TVSH – së pasi të shitet malli janë shumë të rëndësishme që ekonomia të mbajë konkurrueshmërinë në treg kundrejt produkteve të importit”, shprehet Piraj.

Por, sipas tij, investitorët mund të shtyjnë zbatimin e investimeve të tyre për shkak që nuk ka institucione stabile.
“Nuk investon askush kur nuk ka institucione stabile, normal që edhe investitorët që i kanë filluar investimet e veta, mund të shtyjnë zbatimin, e ata që kanë ndërmend të investojnë kanë rezerva për pa qenë të formuara institucionet e dala nga zgjedhjet e lira”, thekson biznismeni.
Zgjedhjet e 9 shkurtit nuk kanë arritur të japin një fitues që do të mund të formonte qeverinë pa koalicion dhe tashmë partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrinë ende të formojë institucionet e reja.
Kuvendi i Kosovës ka mbetur i bllokuar që nga muaji i kaluar dhe kur përpjekjet që deputetja e Albulena Haxhiu të marrë votat e mjaftueshme të zgjidhet kryetare e Kuvendit.
Nga opozita nuk pranojnë të japin votën e tyre, duke e konsideruar Haxhiun si figurë përçarëse, ndërsa partia fituese konsideron se ajo është emri që meriton të jetë kryeparlamentare, pasi pos tjerash është edhe gruaja më e votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Për zgjidhje të këtij ngërçi, partia fituese Lëvizja Vetëvendosje kishte ftuar në takim e koalicion Lidhjen Demokratike të fundit, por kjo e fundit kishte refuzuar për të dhënë propozim një qeveri gjithëpërfshirëse.
I pyetur nëse një qeveri gjithëpërfshirëse mund ta forcojë ekonominë e vendit, Piraj thotë se nuk dihet si mund të funksionojë.
Sipas tij, partitë ka mundësi të mos i realizojnë premtimet e bëra në fushatë.
“Një qeveri gjithëpërfshirëse nëse nuk ka një mundësi tjetër mendoj se nuk dihet se si do të ketë ndikimin në zhvillimin ekonomik sepse mund të mos i realizojnë premtimet e bëra në fushatë”, përfundon biznesmeni.
Të tjera
Kjo është gjendja aktuale në pikat kufitare
Industria turke e mbrojtjes “po shkruan histori”
“Ma mirë kërkoj falje Lumirit se do me hangër krytë…”, – Haxhi Avdyli publikon kër*cënimi që thotë se i erdhi nga një përkrahës i Abdixhikut