Vendet e Ballkanit gjatë vitit 2025 dëshmuan turbulenca politike, zgjedhje, procese gjyqësore, protesta, sanksione dhe përparim drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE).
Gjatë vitit 2025, përderisa në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në Maqedoninë e Veriut zgjedhjet lokale, e në Kroaci zgjedhjet presidenciale, Kosova ishte dëshmitare e tri proceseve të ndryshme zgjedhore.
Vendet e rajonit, përveç zgjedhjeve, ndërmorën edhe hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE, me ç’rast nga liderët e BE-së morën mesazhe se e ardhmja e rajonit qëndron në BE.
Derisa deklaratat separatiste në entitetin serb të Bosnjë e Hercegovinës (Republika Sërpska) vazhduan gjatë gjithë vitit, në Serbi u mbajtën protesta kundër qeverisë në shumë qytete. Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, nga ana tjetër, më 18 mars nënshkruan deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, gjë që shkaktoi reagime nga Serbia.
Anadolu përpiloi zhvillimet e rëndësishme të vitit 2025 në vendet e rajonit.
– Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian u mbajt në Tiranë
Shqipëria e nisi vitin me zgjedhje të përgjithshme të mbajtura në maj, në të cilat kryeministri Edi Rama shpalli fitore historike, ndërsa në kryeqytetin Tiranë u mbajt Samiti i gjashtë i Komunitetit Politik Evropian me pjesëmarrje të nivelit të lartë, ku mori pjesë edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Protestat kundër qeverisë vazhduan gjatë gjithë vitit në Shqipëri, ndërsa vendi bëri hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE, hapi grupkapituj të rinj dhe shpalli se synimi është anëtarësimi në BE deri në vitin 2030.
Shqipëria tërhoqi vëmendjen me ndalimin e përkohshëm të TikTok-ut, ndërsa me emërimin e ministres së parë për inteligjencë artificiale në rajon, Diellës, tregoi edhe një hap drejt botës moderne.
– Kosova gjatë vitit 2025 pati tri zgjedhje
Kosova e nisi vitin me zgjedhjet e përgjithshme më 9 shkurt. Vetëvendosje shpalli fitoren, por nuk arriti të formojë qeverinë, gjë që shkaktoi krizë të gjatë politike.
Ndërkohë u mbajtën zgjedhjet lokale, të cilat kaluan në një atmosferë më të qetë. Për shkak të pamundësisë për formimin e qeverisë, parlamenti u shpërnda dhe më 28 dhjetor u mbajtën zgjedhje të parakohshme, në të cilat Albin Kurti shënoi fitore “historike”.
Krizat me Serbinë vazhduan gjatë gjithë vitit ndërsa Kosova mbylli institucionet paralele në komunat me shumicë serbe. Veriu i vendit ishte skenë tensionesh, gjë që çoi në pezullimin e përkohshëm të dialogut strategjik nga ana e SHBA-së. Gjatë vitit 2025, Kosovën e njohën katër shtete, përfshirë edhe Sirinë.
Kosova gjithashtu tërhoqi vëmendjen me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kroacinë më 18 mars.
– Nga zjarri në Koçan deri te zgjedhjet lokale, viti 2025 në Maqedoninë e Veriut
Maqedonia e Veriut në mars u trondit nga një zjarr në një klub nate në Koçan, ku humbën jetën 63 persona dhe më shumë se 200 u plagosën.
Vendi e vazhdoi vitin me zgjedhjet lokale, në të cilat VMRO-DPMNE shpalli fitoren, duke hapur një fazë të re politike. Kriza me Bullgarinë fqinje, e cila bllokon procesin e anëtarësimit në BE, vazhdoi gjatë gjithë vitit 2025.
– Deklaratat separatiste në entitetin serb
Në entitetin serb të Bosnje e Hercegovinës (Republika Sërpska), retorika separatiste vazhdoi edhe gjatë vitit 2025.
Lideri i serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, i cili shpesh gjendet në fokus për shkak të deklaratave të tilla, njoftoi se nuk e njeh Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) dhe as përfaqësuesin e lartë Christian Schmidt, institucionet e vendosura me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në periudhën 1992-1995.
Gjykata e BeH-së e dënoi Dodikun me një vit burg dhe ndalim gjashtëvjeçar për mbajtjen e posteve politike në shkurt 2025 për kundërshtimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë.
Për shkak të nevojës për të caktuar pasardhësin e tij, në entitet u mbajtën zgjedhje të parakohshme, në të cilat fitoi Sinisha Karan.
– Nga hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në BE deri te vendosja e regjimit të vizave për shtetasit turq në Mal të Zi
Mali i Zi, ndër vendet e rajonit, bëri hapat më të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit në BE dhe njoftoi se synon ta përfundojë këtë proces deri në vitin 2028.
Ashtu si vendet e tjera të Ballkanit, Mali i Zi mori mbështetje të plotë nga liderët e BE-së në rrugën drejt anëtarësimit.
Megjithatë, në tetor vendi u bë fokus i opinionit publik pasi një shtetas malazez u godit me thikë, ndërsa autoritetet fillimisht për këtë sulm fajësuan dy shtetas turq. Më vonë u vërtetua se këta persona nuk ndodheshin fare në vendin e ngjarjes.
Në atë periudhë Mali i Zi vendosi regjim vizash për shtetasit turq, por ky vendim u tërhoq në fund të dhjetorit dhe detyrimi i vizave u hoq sërish.
– Protesta kundër qeverisë në Serbi
Serbia në fillim të vitit 2025 ishte skenë e protestave masive që u përhapën në mbarë vendin, pas tragjedisë në fund të vitit 2024 në Novi Sad, kur si pasojë e shembjes së çatisë në stacionin hekurudhor humbën jetën 11 persona.
Gjatë protestave pati përplasje mes policisë dhe demonstruesve ndërsa kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq dha dorëheqje pas valës së pakënaqësisë publike të shkaktuar nga aksidenti në të cilin humbën jetën më shumë persona.
Në prill u formua qeveria e re në krye me Gjuro Macut ndërsa kabineti mori besimin e Kuvendit Popullor.
Përveç vazhdimit të tensioneve me Kosovën, Serbia reagoi edhe ndaj deklaratës së përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, të cilën në mars e nënshkruan Kosova, Kroacia dhe Shqipëria.
– Kroacia, anëtare e BE-së, nënshkroi deklaratë të përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kosovën
Kroacia, si anëtare e BE-së në rajon, në janar mbajti zgjedhjet presidenciale. Në zgjedhje, presidenti aktual Zoran Millanoviq fitoi më shumë se 70 për qind të votave dhe sërish shpalli fitoren.
Në mars, Kroacia nënshkroi deklaratën e përbashkët për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shqipërinë dhe Kosovën, gjë që shkaktoi reagime nga Serbia fqinje.
Gjatë vitit 2025, Kroacia, ashtu si edhe vitet e mëparshme, dëshmoi përplasje politike mes presidentit Zoran Millanoviq dhe kryeministrit Andrej Plenkoviq./AA



Të tjera
Të njohim më mirë epilepsinë!
Miratohet nisma për marrëveshje të sigurisë Kosovë–Mbretëria e Bashkuar
Qeveria në detyrë mban mbledhjen e fundit për këtë vit, merr tri vendime