Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e Zvicrës, Jürg Sprecher, transmeton KosovaPost.
Kryeministri Kurti theksoi se Zvicra është një nga partnerët më çmuar të Kosovës dhe shtoi se marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, krahas lidhjes nëpërmjet mërgatës, janë të ndërtuara në vlera të përbashkëta, si: sundimi i ligjit, qeverisja demokratike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Pasi tha se është i interesuar që në mandatin e ri të thellojë bashkëpunimin me Zvicrën, kryeministri Kurti falënderoi ambasadorin Sprecher për mbështetjen e vazhdueshme nëpërmjet KFOR-it dhe Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).
Në kuadër të programit katërvjeçar të SDC-së, Zvicra ka të zotuara për Kosovën një total prej 86 milionë eurosh, ndërsa për periudhën e re 2026-2029 janë zotuar më shumë se 64 milionë euro të tjera.
Ambasadori Sprecher uroi kryeministrin Kurti për mandatin e ri, duke theksuar se Zvicra do të punojë ngushtë me institucionet demokratike të Kosovës.
Mes tjerash në takim u bisedua për mërgatën kosovare në Zvicër, si një urë lidhëse ndërmjet dy shteteve, si dhe për Marrëveshjen për Tregti të Lirë – EFTA, e nënshkruar në janar të vitit të kaluar në Davos, por e cila ende nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.
Zvicra është burimi i dytë më i madh i investimeve të huaja direkte në Kosovë, ndërsa afër një e pesta e totalit të remitencave vijnë nga mërgata në këtë shtet.



Të tjera
Haxhiu dhe ambasadorja e Kroacisë flasin për thellimin e bashkëpunimit
Kurti pret ambasadorin Dietz, thellohet bashkëpunimi Kosovë–Luksemburg
Metodat që i përdorin profesionistët për ta larguar stresin