Kryeministri mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Kinemasë “Lumbardhi”

Kryeministri mori pjesë në ceremoninë përmbyllëse të Kinemasë “Lumbardhi”

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mbrëmë mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Fondacioni “Lumbardhi”, kushtuar Kino Lumbardhit, e titulluar “Edhe një herë deri herën tjetër”, e cila u mbajt në hapësirat e kinemasë “Lumbardhi”, në qytetin e Prizrenit.

Me rastin e mbylljes së përkohshme të ndërtesës së kinemasë për shkak të renovimit që do t’i bëhet, kryeministri Kurti ktheu në kujtesë se Kinemaja Lumbardhi në vitin 2002 u bë shtëpia e edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”. Ai shtoi se ky institucion është monument i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore e do të vazhdojë edhe në dekadat e ardhshme.

“Mes për mes qytetit të Prizrenit rrjedhë një lum i bukur, i cili bënë zë sikur një shirit filmik gjatë projeksionit në një kinema të vjetër. Kjo ndërlidhje zanore me këtë lum mund të jetë njëra prej arsyeve nga e ka huazuar kinemaja Lumbardhi emrin e tij”, tha ai.

Në këtë program përmbyllës, ai falënderoi të gjithë ata të cilët kanë kontribuuar dhe janë angazhuar që kjo kinema të jetë pikë gravitimi për kulturën dhe qytetin dhe një vend frymëzimi për gjeneratat e ardhshme. Më tej, shtoi se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që vit pas viti të rrisë mbështetjen për artin dhe trashëgiminë kulturore – si një nga shtyllat e zhvillimit kulturor, shoqëror dhe ekonomik të vendit tonë