Shkruan: Besa Nuredini
Në Kosovën e pas 9 shkurtit, ambicia për pushtet pa votë është bërë epidemike. Por qytetari ka treguar se legjitimiteti nuk blihet e as nuk ndahet, ai fitohet.
Ka muaj që Kosova po mbahet peng nga ambiciet e disa ish-ministrave, liderëve partiakë dhe figurave të dështuara politike, të cilët në vend se të përballen me qytetarin në kutinë e votimit, po përpiqen ta rrëmbejnë pushtetin përmes pazareve nën tavolinë. Disa prej tyre asnjëherë nuk janë matur në zgjedhje, disa janë ndëshkuar rëndë nga populli, ndërsa të tjerë që dikur përfituan nga afërsia me Albin Kurtin, sot ëndërrojnë ta marrin postin e tij, pa votë, pa legjitimitet, pa asnjë ide.
Në vend që të ofrojnë zgjidhje për bllokadën politike që ka kapluar vendin prej gati nëntë muajsh, ata merren me kombinime, me “rrotacion pushteti”, me ndarje të posteve sikur të ishin aksione korporate. Njëri do të bëhet kryeministër, tjetri zëvendëskryeministër, një i tretë me çdo kusht minister, e qytetari, sipas tyre, le të rrijë spektator.
Por le ta themi hapur: populli nuk është spektator.
Pyetja që lind natyrshëm është: nëse të gjithë këta e duan njëkohësisht postin e kryeministrit, si do ta ndanin atë në një situatë hipotetike? Në dysh, në tresh apo në katër pjesë?
Absurdi i kësaj gare për pushtet tregon mungesën e parimeve dhe të bindjeve ideologjike në politikën tradicionale kosovare. Për ta, kryeministri nuk është përgjegjësi, është çmim, është trofe.
E megjithatë, qytetari e ka folur fjalën e tij. Në zgjedhjet e 9 shkurtit, përkundër një fushate të tërbuar propagandistike nga disa media të afërta me opozitën dhe klaneve të caktuara që punuan ditë e natë kundër qeverisë, Albin Kurti sërish doli i pari me 42% të votave.
Ky rezultat është dëshmi se, pavarësisht sulmeve, qytetari vazhdon të besojë në Vetëvendosje dhe në vizionin e Kurtit për një shtet të drejtë, të barabartë dhe të pakorruptuar.
Ajo që po ndodh sot nuk është krizë e qeverisë, por krizë e moralit politik të atyre që s’e pranojnë verdiktin e qytetarit. Ata që humbën po përpiqen ta rikthejnë veten në pushtet përmes ndërmjetësimeve të fshehta, përmes organizatave të “pavarura”, e madje edhe përmes individëve që shfaqen si “zgjidhje e përkohshme”.
Por Kosova nuk ka nevojë për zgjidhje të përkohshme, ka nevojë për stabilitet, për vendimmarrje të guximshme dhe për një qeveri që buron nga populli.
Prandaj, zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë kërcënim, janë domosdoshmëri. Kosova mund të dalë nga ky ngërç vetëm përmes votës së lirë. Dhe s’ka asnjë dilemë se kush do ta marrë përsëri besimin e shumicës. Sepse Albin Kurti nuk është thjesht kryeministri më i votuar në historinë e Kosovës, ai është simboli i qëndresës ndaj padrejtësive të një klase politike që ende nuk e ka kuptuar se pushteti nuk merret, por fitohet.
Në fund të ditës, pyetja është e thjeshtë:
A do ta zgjasim krizën me pazare të të njëjtëve njerëz që e sollën atë, apo do t’i japim fund me një verdikt të ri qytetar?
Unë besoj se qytetari e di përgjigjen.
Sepse vetëm në Lëvizjen Vetëvendosje, dhe vetëm nën udhëheqjen e Albin Kurtit, posti i kryeministrit nuk është pre për pazare, por mandat i fituar me dinjitet.



Të tjera
PDK ankohet te PZAP-ja për vendimin e KQZ-së për votimin jashtë vendit
Ja çfarë sëmundje keni nëse ju del gjumi natën
Serbia, rreshtohet pranë Rusisë duke mos votuar rezolutën e OKB-së për kthimin e fëmijëve ukrainas