‘Kryengritësit’ brenda PDK-së e LDK-së: Çfarë fati i pret pas zgjedhjeve?

Zgjedhjet lokale të 12 qershorit kanë sjellë “rebelim” brenda partive politike, konkretisht brenda dy partive më të mëdha opozitare – Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Para zgjedhjeve, “rebelimi” ka ndodhur në PDK, ndërsa pas tyre në LDK.

Ramiz Lladrovci, kryetari i Drenasit për katër vitet e kaluara dhe tashmë i votuar për një mandat tjetër, ka dalë kundër partisë së tij, duke mos e përfillur vendimin e PDK-së për të mos e kandiduar përsëri, dhe ka garuar si i pavarur për të fituar dhe për ta lënë pas kundërshtarin nga partia e tij, Petrit Hajdarin.

Pas numërimit të 100% të votave, Ramiz Lladrovci fitoi 52.31% të votave, ndërsa Petrit Hajdari i PDK-së doli i dyti me 37.31%.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se gara nuk ka qenë e lehtë, por pas rezultateve ia ka uruar fitoren Lladrovcit.

“Ka qenë një garë aspak e lehtë për ne, sepse ka pasur të bëjë me një komunë që PDK-në e ka nderuar me votë, pa kushte. Sfidimi në nivel të degës nuk ka qenë i mirëseardhur për mua. Nuk kam dashur të jem arbitër për të pamundësuar garën brenda partisë. Rezultati është i qartë – Ramiz Lladrovci ka fituar. Ia kam dhënë urimet prej selisë së PDK-së dhe shpresoj që e vazhdon punën në të mirën e qytetarëve të Drenasit.”

Por, a ka vend për Ramiz Lladrovcin në PDK?

Krasniqi ishte i shkurt në përgjigjen e tij:

Ramiz Lladrovci nuk është i vetmi që pozita e tij në parti është vënë në pikëpyetje. Një fat pothuajse të njëjtë ka edhe Xhafer Tahiri i LDK-së.

Tahiri, i cili nënshkroi një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri, ka “nervozuar” partinë e tij, e cila e konsideroi këtë veprim në kundërshtim me qëndrimin zyrtar të LDK-së – që nuk synon asnjë koalicion me VV-në, as në nivel lokal e as në atë qendror.

Në anën tjetër, debati vazhdon, pasi Tahiri ka kundërreaguar duke thënë se për koalicionin ka qenë i njoftuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Unë nuk kam tradhtuar dhe nuk kam vepruar kokë më vete. Më ka shkruar Abdixhiku dhe më ka pyetur a kemi ndonjë ofertë për Vushtrrinë. I kam treguar se kemi marrë ofertë nga VV-ja dhe më ka pyetur a mundemi me fitu. I kam thënë se po, në bazë të numrave kemi qenë një mijë vota më shumë, dhe me NISMA-në bëheshin dy mijë vota më shumë. Ia kam shpjeguar se në këtë marrëveshje thjesht ndërrohen rolet që LDK dhe VV kishin pasur në vitin 2017, kur VV na kishte mbështetur në Vushtrri për qeverisje – thjesht i kemi ndërruar rolet.

Ia kam sqaruar Abdixhikut pse është stabile kjo marrëveshje dhe se nuk kam asnjë marrëveshje me PDK-në e as interesim për një të tillë.”

Tahiri ka vazhduar më tej duke akuzuar Abdixhikun se kinse ai vetë i kishte kërkuar të arrinte një bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje për Komunën e Suharekës.

Më ka thënë: ‘A mundesh me fol për një qytet tjetër, konkretisht për Suharekën?’ I kam thënë se nuk e di nëse mundem, por do të të njoftoj. Në atë moment kam takuar Kurtin në orën 7 të mbrëmjes së së shtunës, jo për Vushtrrinë, sepse aty isha marrë vesh me degën. Kurtit i kam thënë se unë jam LDK dhe nuk jam asnjëherë VV, por kam interesim t’ia kthej një të mirë VV-së për kushtet në vijim. Kam kërkuar zotimin e tij personal që këto katër marrëveshje të realizohen.

Rreth “rebelimit” të Lladrovcit e Tahirit dhe “fatit” të tyre kanë folur për “Bota sot”, analistët politikë.

 

Ku “buron” guximi i liderëve lokalë?

Analisti politik, Afrim Kasolli, thotë se guximi i këtyre liderëve lokalë mbase është shprehje e drejtpërdrejt edhe e mungesës së lidershipit.

Image

Afrim Kasolli

“E para duhet të ceket se “rebelime” të tilla të tilla kanë ndodhur vetëm në në Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Guximi i këtyre liderëve lokalë, mbase është shprehje e drejtpërdrejt edhe mungesës së lidershipit në nivel qendror që po i shoqëron si PDK ashtu edhe LDK. (Ndonëse në rastin e kësaj te fundit u ngjallën dyshime se veprimet e Xhafer Tahirit në qytetin e Vushtrrisë kanë pasur miratim të heshtur nga kryetari Lumir Abdixhiku, por që i njëjti ka kërkuar që një aleancë e tillë të mbetet sekrete për shkak të frikës mbi koston publike që mund ta ketë). Realisht shkarje të tilla nuk kemi pasur rastin t’i shohim në kuadër të Lëvizjes Vetëvendosje, ku çdo lëvizje partiake i nënshtrohet disiplinës qendrore në krye me Albin Kurtin”, deklaron Kasolli.

Fati i “kryengritësve”, sipas Kasollit, varet nga shumë faktorë.

Ai thotë se përçarje të tilla, para se të ndikonin në koalicione eventuale stabile qendrore, në fakt në këtë fazë i japin një përparësi solide Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sidoqoftë, fati i këtyre “kryengritësve” do të varet nga shumë faktorë të tjerë. Nëse dominon kalkulimi se humbja mund të jetë më e madhe si për partinë ashtu edhe për drejtuesit e saj, nuk përjashtohet mundësia që të riafrohen përsëri palët antagoniste. Prandaj edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka filluar ta ndjekë një strategji shfajësimi se Ramiz Lladrovci nuk e ka përjashtuar askush, por ai është larguar me vullnet të vet. Pra, që barra e përgjegjësisë më shumë të bie mbi kryetarin e Drenasit. Megjithatë, përçarje të tilla, para se të ndikonin në koalicione eventuale stabile qendrore, në fakt në këtë fazë i japin një përparësi solide Lëvizjes Vetëvendosje. Sepse oponentët e saj, në vend se t’i kanalizojnë energjitë e tyre politike për t’u ballafaquar me Albin Kurtin, ato i rikthejnë tensionet brenda tyre. Çka e fragmentarizon forcën e tyre reale politike. Kjo edhe është arsyeja që kryetari i LDK-së po mundohet ta margjinalizojë efektin publik të Vushtrrisë, por sa do të ketë sukses mbetet e paqartë”, shprehet analisti.

Autonomi për liderët lokalë, por jo kundër interesit partiak

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri, rastet nuk i konsideron të ngjashme.

Por, ai thotë se ka qenë e mundur shit- blerja e deputetëve individualë jashtë vijës partiake për të votuar qeverinë Kurti 3.

Image

Nexhat Haziri

Foto galeri

Mos shitja e votës për interesa personale, kundër partisë, sipas Hazirit është lajm i mirë.

Nëse iu referohemi rastit të Ramiz Lladrovcit dhe PDK-së, me atë të Xhafer Tahirit dhe LDK-së, shohim se nuk janë të ngjashme, megjithatë përtej kësaj, do të duhej të marrim shembull seancën e fundit të Kuvendit në të cilën u provua për t’u votuar qeveria Kurti 3 pa marrëveshje politike, duke u bazuar apo varë shpresat tek shitja e blerja e deputetëve individualë që mund të dalin jashtë vijës partiake. Dhe kjo nuk ndodhi, dhe është lajm i mirë se skena politike në Kosovë ka filluar të maturohet, dhe blerja e shitja e deputetëve individual për interesa personale të tyre, duke dalë kundër qëndrimit partiak, kundër votës së atyre që e kanë votuar, tashmë i takon të kaluarës”, deklaron Haziri.

Analisti mbështet një autonomi të liderëve lokalë, por sipas tij, autonomia duhet të ketë për bazë edhe interesin e partisë.

Ai shton se demokracia e brendshme në partitë në Kosovë lë për të dëshiruar.

“ Sa i përket rastit të Ramiz Lladrovcit në Drenas, PDK-ja e dëmtoi vetën , për shkak të ndikimit të madh të Sami Lushtakut i cili duke goditur Ramiz Lladrovcin, tentoi t’i shtynte interesat e tij personale e financiare që kishte në Drenas, dhe për t’u promovuar si “Bajraktar i Drenicës”, gjë që nuk ndodhi edhe për shkak të një vetëdije të lartë demokratike e qytetare që treguan qytetarët e Drenasit. Ndërsa në rastin e Xhafer Tahirit në Vushtrri, u pa hapur ndikimi nga jashtë, pra jashtë LDK-së, dhe ky qëllim ishte për ta dëmtuar LDK-në dhe për të krijuar një atmosferë përçarje në procesin e balotazhit për zgjedhjet lokale, por edhe në prag të mbajtjes së seancës ku do të votohej Qeveria Kurti 3. Në parim unë mbështesë një autonomi që duhet ta kenë liderët lokalë, por jo autonomi duhet ta ketë për bazë edhe interesin e partisë, ndryshe nëse duhet që çdo lider lokal të vendos krye në veti , atëherë çfarë kuptimi ka më organizimi partiak, ideologji, programor etj. Demokracia e brendshme që në partitë tona lë shumë për të dëshiruar, nënkupton proces të brendshëm zgjedhor demokratik, respektim dhe hapësirë për mendimin ndryshe, forcim i debatit të brendshëm, vendime konsensuale, dhe këto nuk i gjejmë te të gjitha partitë”, përfundon analisti.