Leposaviq: Policia e Kosovës gjatë një bastisje gjen narkotikë, armë zjarri dhe municion

Kryetarja e Ranillugut u intervistua në polici për ndikim në zgjedhje

Kryetarja e Komunës së Ranillugut, Tanja Atic, është shoqëruar për intervistim në Policinë e Kosovës, pas dyshimeve për ndikim te votuesit nga komuniteti serb.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, ka konfirmuar për RTKlive se kryetarja Atic dyshohet për ndikim te votuesit dhe paralajmërim për humbje beneficionesh në rast të mos votimit sipas udhëzimeve të saja.

“Kryetarja e Komunës së Ranillugut, dyshohet se përmes anëtarëve të Komisionit Komunal zgjedhor të kësaj partie në komunën e Ranillugut ka ushtruar ndikim tek votuesit e pa përcaktuar ose votuesit e subjekteve të tjera. Të njëjtit dyshohet se janë kanosur për ndërprerje të benifiteve të cilat këta qytetar i përfitojnë nga shteti i Serbisë, në rast të mos votimit sipas udhëzimeve”, ka konfirmuar ai.

Më tej ai ka thënë se Atic është intervistuar në prezencën e avokatit me qëllim të verifikimit të informacioneve dhe sqarimit të rrethanave.

“Pas intervistimit me vendim të Prokurorit të Shtetit është liruar, ndërsa rasti ‘Cenim i fshehtësisë së votimit’ do vazhdojë të hetohet nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore”, ka shtuar ai.

Njëkohësisht kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencën e orës 15:30 tha se i kanë informacionet për thyerjen e heshtjes zgjedhore nga ana e Listës Serbe, por se kjo nuk është në kompetencën e këtij institucioni.

“Ne i kemi informacionet, vazhdimisht jemi në koordinim me policinë e prokurorinë, për çështjet që hyjnë në domenin e veprave penale apo inkriminuese policia e prokuroria ndërmarrin hapa hetimor, ndërsa sa i përket thyerjes së heshtjes zgjedhore kompetencë për të vendosur për këtë ka PZAP në bazë të ndonjë ankese eventuale që mund të paraqitet. Ne jemi të njoftuar, por lidhur me heshtjen zgjedhore ne nuk kemi ndonjë kompetencë”, ka thënë ai./rtk