Kryeziu e VV-së thotë se Kuvendi i Kosovës duhet të funksionojë me kuorum

Deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu, ka deklaruar se Kuvendi i Kosovës nuk duhet të mbahet peng për shkak të moszgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb.

Ajo tha se meqë tashmë është siguruar kuorumi për funksionimin e Kryesisë, janë ezauruar të gjitha hapat e nevojshëm që çojnë drejt konstituimit të Kuvendit.

“Meqenëse është siguruar kuorumi për funksionimin e Kryesisë së Kuvendit, ne mendojmë se si deputetë i kemi ezauruar të gjitha hapat e nevojshëm që çojnë drejt konstituimit të Kuvendit dhe nuk besoj që Kuvendi do të duhej të mbahej peng për shkak të mos zgjedhjes së nënkryetarit që përfaqëson komunitetin serb. Ndërkohë, tashmë ekziston kuorumi i nevojshëm për mbajtjen e mbledhjeve të rregullta të kryesisë të cilat pastaj procedojnë dhe e kthejnë punën e Kuvendit në normalitet”, deklaroi ajo në Tëvë1.

Ndërkohë, tha se edhe Gjykata Kushtetuese, si dhe shumë institucione tjera vitale, funksionojnë në bazë të arritjes së kuorumit dhe jo duke u mbajtur peng nga mungesa e një përfaqësuesi të komunitetit serb.

“Këtu dua ta tërheq edhe një paralele. Vetë Gjykata Kushtetuese funksionon në bazë të arritjes së kuorumit për të mbajtur mbledhjet e tyre, dhe nuk mbahet peng në mungesë ose jo të përfaqësuesit të komunitetit serb brenda Gjykatës dhe shumë institucione tjera vitale funksionojnë në të njëjtin formë. As Kuvendi nuk do të duhej të ishte pengesë e kësaj procedure. Ne mendojmë se patëm rastin e artë për ta larguar një herë e mirë prezencën e Listës Serbe brenda Kryesisë së Kuvendit”, tha ajo.