Në një reagim të fuqishëm, Kadri Kryeziu ka denoncuar qasjen e Listës Serbe si një strategji të hapur për krizë dhe jo për integrim.
Lista Serbe hoqi maskën: Integrimi është iluzion, kriza është strategji
Kurti është në vijë me Marrëveshjen e Normalizimit, por Beogradi përdor serbët e Kosovës si instrument krize. Ndërkombëtarët thjesht presin aktin e radhës për t’ia hedhur fajin Kosovës – një teatër i vjetër, i bazuar mbi një racizëm 2.0 ndaj shqiptarëve.
Të enjten në mbrëmje, Albin Kurti iu drejtua serbëve të Kosovës me një videomesazh të thjeshtë dhe të qartë: ata meritojnë qasje të barabartë në të mirat e përbashkëta, ndërsa sistemi paralel i arsimit dhe shëndetësisë, i financuar nga Serbia, nuk është i qëndrueshëm. Premtimi i tij ishte se këto shërbime do të integrohen në një sistem unik, në bashkëpunim me kryetarët e komunave, BE-në, QUINT-in dhe KFOR-in. Asgjë jashtë logjikës së Marrëveshjes së Normalizimit të dakorduar në Ohër.
Reagimi i Listës Serbe
Lista Serbe reagoi menjëherë. Deklaruan se arsimi dhe shëndetësia paralele janë “shtylla e mbijetesës së popullit serb”, se nuk janë pjesë e asnjë negociate dhe madje paralajmëruan se do t’i “çlirojnë komunat e uzurpuara në veri”. Në një fjali: refuzuan jo vetëm Kurtin, por edhe vetë marrëveshjet ndërkombëtare ku Serbia është palë.
Në një farë mënyre, kjo është e dobishme. Sepse mund të kishin luajtur teatrin e zakonshëm – të shtirreshin sikur duan integrim, të prisnin që procesi të dështonte dhe në fund, t’ia linin fajin Kurtit. Kështu do t’i ushqenin përrallat e diplomatëve dhe të disa OJQ-ve që gjithmonë e shohin problemin në Prishtinë dhe kurrë në Beograd. Por këtë herë, Lista Serbe foli troç: nuk duan integrim.
E vërteta lakuriq
Kjo është e vërteta lakuriq. Serbët e Kosovës nuk janë faktor politik më vete, por instrument në dorën e Beogradit. Strategjia e tyre nuk është paqja, por kriza. Ata riciklojnë skenarin e Bosnjes dhe Kroacisë: serbët viktima, shqiptarët agresorë. Është e njëjta strategji e viteve ’80, kur viktimizimi i rremë i serbëve solli Millosheviqin në pushtet dhe ndezi luftërat që shkatërruan Ballkanin.
Edhe sikur Kurti të bëhej shqiptari më liberal i mundshëm, të hiqte dorë nga çdo gjë, rezultati do të ishte i njëjtë: serbët do të vazhdonin ta luanin kartën e viktimës. Ata tashmë janë akomoduar me idenë se janë mbi ligjin dhe Kushtetutën, se u takon të jetojnë të ndarë, pas mureve, me alibinë se kështu mbrohen nga “agresori” i shpikur shqiptar.
Çfarë duhet të bëjë Kosova
Personalisht, besoj se Kosova nuk duhet të ndërmarrë hapa substancialë përtej retorikës. Mjafton fjala për të ekspozuar hipokrizinë serbe. Çdo tentativë për hapa konkretë vetëm sa do të hapte një kurth të ri, një krizë të re, ku serbët do të dilnin viktima e shqiptarët agresorë. Më mirë t’u japim mikrofonin sa herë të duan: ata vetë do ta prishin fasadën dhe do ta tregojnë realitetin e tyre.
Përfundimi
Dhe po, të mos kemi iluzione. Nuk ia vlen të humbasim kohë duke spekuluar për reagimin e ndërkombëtarëve. Ata thjesht do ta kalojnë këtë në heshtje dhe do të presin rastin e radhës për t’ia hedhur fajin Kosovës. Është një teatër i vjetër ku supozohet se ne shqiptarët nuk kemi as kujtesë, as inteligjencë për të kuptuar realitetin. Quaje si të duash, por në thelb është racizëm 2.0 – një standard i dyfishtë i institucionalizuar që vazhdon të luhet mbi kurrizin tonë.
Të tjera
BE-ja synon ndalimin e plotë të importeve të gazit rus deri më 2027
Rrëfimi i nënës së Nasim Haradinajt: Pas arrestimit të burrit e djemve edhe të njohurit në Pejë s’na pranonin si mysafirë
Politico: MIG-ët e Rusisë shkelin hapësirën ajrore të NATO-s mbi Estoninë