Kthehet në rigjykim rasti i vrasjes në tregun e gjelbër në Mitrovicë

Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren e cila më 17 janar 2025 e kishte dënuar me 20 vjet burgim të akuzuarin Shefki Asllani për vrasjen e V.F., më 17 prill 2021 në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë. Apeli e ktheu rastin në rigjykim.

Në vendimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se u aprovua ankesa e mbrojtësit të Asllanit, avokatit Besnik Berisha dhe lënda kthehet në rigjykim në shkallë të parë.

Fillimisht, ndaj vendimit të Themelores kishin ushtruar ankesë Prokuroria Themelore në Prizren për shkak të vendimit mbi dënimin, duke i propozuar Gjykatës së Apelit që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Ankesë ka ushtruar edhe përfaqësuesi me autorizim i palës së dëmtuar A.F., avokati Shpetim Mehmeti, për shkak të vendimit mbi dënimin dhe i ka propozuar Gjykatës së Apelit që aktgjykimi i Themelores të ndryshohet dhe të akuzuarit t’i shqiptohet dënim më i ashpër.

Prokuroria e Apelit ka propozuar përmes parashtresës që ankesat e Prokurorisë Themelore në Prizren dhe palës së dëmtuar të aprovohen, ndërkaq ajo e avokatit Berisha të refuzohet si e pabazuar.

Gjetjet e Gjykatës së Apelit:

Sipas Apelit, vendimi i Gjykatës Themelore në Prizren përmban shkelje esenciale për shkak se vendimit i mungojnë arsyet e mjaftueshme për faktet vendimtare, duke mos u dhënë arsye të qarta lidhur me vlerësimin e gjendjes së vërtetuar me provat e administruara.

Në vendim thuhet se vetë dispozitivi i vendimit të shkallës së parë, konkretisht përshkrimi faktik është i paqartë, andaj edhe vendimin e bën të jetë nxjerrë në shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.

Kolegji i Apelit vlerëson se dispozitivi i aktgjykimit të atakuar në pjesën e përshkrimit të gjendjes faktike është i paqartë për faktin se pasi që përshkruhen veprimet e të akuzuarit në raport me tani viktimën vazhdohet përshkrimi për lëndimet që kanë pësuar të dëmtuarit.

Për Apelin janë të paqarta veprimet e ndërmarra nga i akuzuari në vendin e ngjarjes, pasi thuhet se në formulimin e dispozitivit të aktgjykimit të Themelores është paqartë se në vendin e ngjarjes sa herë ka shtënë me armë tani i akuzuari, sa herë është shtënë në drejtim të të dëmtuarit L.F., dhe nga cilat të shtëna është plagosur i dëmtuarit A.A.

“…ka shtënë dy herë në drejtimin e tani viktimës, pastaj ka vazhduar duke shtëne në drejtimin e të dëmtuarit L.F, nëse po sa herë ka shtënë, pastaj nga cilat të shtëna është plagosur i dëmtuari tjetër A.A, edhe pse sipas shkresave të lëndës përkatësisht nga raporti i këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe nga raporti i AKF- përkatësisht i balistikes, del se në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja të kalibrit të armës të cilën e ka poseduar i akuzuari dhe një plumbe i dëmtuar”, thuhet në vendimin e Apelit.

Nga raporti i autopsisë, në vendim thuhet se viktimës i janë shkaktuar katër plagë skloptare. Aty thuhet se rezulton se trupi i viktimës është goditur me dy predha.

“Sipas shkresave të lëndës përkatësisht raporti i autopsisë rezulton se në ekzaminimin e jashtëm në trupin e viktimës janë evidentuar katër plagë skloptare nga predha e armës së zjarrit, të shënuara me numrat nga 1 deri në numrin 4”, thuhet në këtë vendim. Andaj, sipas vlerësimit të Apelit, dispozitivi i aktgjykimin në pjesën e përshkrimit faktik nuk është në harmoni me provat të cilat gjenden në shkresa të lëndës dhe të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor. Apeli konstaton se gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë, pasi kanë mbetur të papërcaktuara fakte të rëndësishme të kësaj çështje penale.

Rekomandimet:

Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë, sipas Apelit, duhet që ta caktojë edhe një herë shqyrtimin gjyqësor dhe t’i evitojë të gjitha shkeljet e lartcekura. Të konstatojë se cilët ishin personat konkret të përfshirë në konfliktin verbal dhe fizik paraprakisht, cili ishte personi i cili e filloi këtë konflikt e i cili më pas kaloi në përleshje fizike dhe me përdorimin e armës.

Pastaj, Apeli thotë se Themelorja gjatë shqyrtimit gjyqësor duhet të konstatojë se sa herë ka shtënë i akuzuari në vendin e ngjarjes dhe sa herë është goditur tani viktima me predha nga i akuzuari, përkatësisht se nga cilat të shtëna janë plagosur të dëmtuarit L.F dhe A.A.

Meqenëse nuk është kontestuese se fillimisht i akuzuari është goditur me gërshërë në kokë nga tani i ndjeri duke i shkaktuar plagë shqyese, Apeli vlerëson se duhet të konstatohet se gërshërët në fjalë të çfarë madhësie ishin.

Apeli po ashtu ka rekomanduar rikonstruimin e vendit të ngjarjes në prezencë të të akuzuarit dhe të dëmtuarve, dëshmitarëve dhe ekspertëve.

“….ngase sipas vlerësimit të kolegjit të kësaj gjykate për vërtetimin e fakteve të sipërcekura është i nevojshëm dhe i domosdoshëm rikonstruimi i vendit të ngjarjes”, thuhet në vendim.

Sipas Apelit, shkalla e parë nëse e sheh të nevojshme të urdhërojë edhe një ekspertizë tjetër, pasi që në shkresa të lëndës gjenden dy ekspertiza të Institutit të Psikiatrisë Forenzike. Aty thuhet se një propozim të tillë e ka pasur prokurori i shtetit dhe përfaqësuesi me autorizim i palëve të dëmtuara në shqyrtim gjyqësor, por është refuzuar nga trupi gjykues.

“Nga rrjedha e ngjarjes në rigjykim nga administrimi i provave në shqyrtim gjyqësor, nga deklarimet e dëshmitarëve e veçanërisht nga deklarimet e dëshmitarit R.I të dhëna në shqyrtim gjyqësor, të konstatohet se si rezultat i sulmit të ndërmarr nga tani viktima në drejtimin e të akuzuarit, ky i fundit veprimet e tij i ka marr apo jo për të zmbrapsur sulmin e drejtuar në drejtim të tij”, thuhet në vendim.

Në fund, Apeli thekson se meqenëse rasti është kthyer në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, tani për tani nuk i shqyrtoi pretendimet ankimore të Prokurorisë Themelore në Prizren dhe të përfaqësuesit me autorizim të palës se dëmtuar, për një dënim më të ashpër për të akuzuarin.

Po ashtu, të akuzuarit i është vazhduar masa e paraburgimit me arsyetimin se ekzistojnë kushtet për vazhdimin e të njëjtit, deri në marrjen e një vendimi tjetër nga Gjykata Themelore në Prizren.

Ndryshe, kjo çështje penale, me vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), më 19 nëntor 2022, është transferuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në Gjykatën Themelore në Prizren. Përveç rastit të të akuzuarit Asllani, kjo Gjykatë kishte pranuar edhe 8 raste të tjera të natyrës penale në Departamentin e Krimeve të Rënda.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, më 28 tetor 2021, kishte ngritur aktakuzë kundër Shefki Asllanit, me arsyetimin se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.5 të Kodit Penal.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Asllani, më 17 prill 2021, rreth orës 12:40, në Mitrovicë, në rrugën “Adem Voca”, në brendi të Tregut të Gjelbër, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin V.F., në atë mënyrë që pas një fjalosje verbale lidhur me rritjen e fidanit të fikut, vije deri te konflikti fizik, ku së pari tani i ndjeri e godet me gërshërë të pandehurin në kokë dhe i shkakton plagë shqyese në regjionin e kokës, me ç‘rast i pandehuri nxjerr revolen nga brezi dhe shtie në viktimën, duke e goditur në pjesën e përparme të trupit, e si pasojë e lëndimeve vdes.

Në aktakuzë, po ashtu thuhet se si pasojë e të shtënave të të pandehurit janë plagosur edhe i dëmtuari, Lutfi Fazliu si dhe kalimtari i rastit Agim Abdullahu.