Ku hyn djalli nuk ka paqe!

Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi

Për më shumë se pesë vite thamë se Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë garancia e Kosovës për shtet-ndërtim, sovranitet dhe integritet, por edhe për zhvillim e prosperitet! Tani jemi në në një situatë kur këta të dy janë vënë kundër njëri-tjetrit. Dhe në aspektin alla shqiptar kur dy liderë i kundërvihen njëri-tjetrit nuk shklyejnë vetëm vetullat, por nxjerrin edhe sytë. Kam kaq ditë që dua ta gjej arsyen dhe shkakun e kësaj situate, por analistët e Edi Ramës nuk më lenë të mendoj gjatë. Batoni, Koli, Niku, TV-të e kryeministrit shqiptar të gjitha, ma përforcojnë bindjen se shkaku është djalli. Këta analistë që nuk kanë lënë gjë pa thënë kundër Vjosës, si dhe kundër Albinit, tani po na e dëshmojnë se djalli ka dashur ta thyejë Albinin. Batoni thotë: – Vetëm Vjosa Osmani mund ta mundë Albinin! Dhe nga kjo kuptojmë shumë lehtësisht se pse Batoni paska punuar aq shumë për ta afruar Vjosën me Edi Ramën. Por qytetarët e Kosovës mendojnë ndryshe!

Zonja presidente tha në një intervistë se është afruar me kryeministrin e Shqipërisë sepse “kudo që shkoja nëpër botë më thoshin: – Mirë me Serbinë, po me Shqipërinë pse nuk shkoni mirë?!” Po! Kjo ka ndodhur. Por Vjosa e di të vërtetën se pse ka ndodhur një gjë e tillë. Kur ajo ishte në samitin e Këshillit të Europës në Pragë, në shtator 2022 pati një darkë informale me të gjithë shefat e shteteve dhe kryeministrat e vendeve të Evropës. Ishin 47 gjithsej. Në atë darkë foli Vjosa, por pas saj e mori fjalën Aleksandër Vuçiq. Presidenti i Serbisë deklaroi fjalë për fjalë: – Të dashur pjesmarrës, dua t’u them diçka të rëndësishme. Ne serbët bisedojmë për gjithçka dhe merremi vesh shumë mirë për çdo gjë me vëllain tim Edi. Pra me Shqipërinë ne nuk kemi asnjë problem. Por me Kosovën nuk mund të bisedojmë për asgjë dhe as të merremi vesh për ndonjë gjë”! Një pjesë e liderëve evropianë, në shumicë miq të Ramës dhe të Vuçiq, kthyen kokën duke e parë me habi Vjosa Osmanin. Dukej se e bënin këtë për ta vënë para një përgjegjësie morale të dukshme. Ja si e hodhi djalli menjëherë farën e vet. Presidentja Osmani u vu në vështirësi të jashtëzakonshme. Nuk kishte gjithashtu mundësinë që të bisedonte e t’i sqaronte kolegët e saj. Ndaj nuk pati rrugë tjetër, veçse “e turpëruar” të kthehej në Kosovë.

Po kush e turpëroi zonjën Osmani në atë event? E “turpëruan” Beogradi dhe Tirana zyrtare. Tani ajo na thotë se qenka “turpëruar” vazhdimisht prej kësaj situate dhe për pasojë edhe u bashkua me Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë. Unë e di se marrëdhëniet midis dy republikave parlamentare, siç është Kosova dhe Shqipëria, vendosen me homologët përkatës, në këtë rast midis presidentëve dhe kryeministrave. Vjosa Osmani kishte dhe ka për hatër të Zotit një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Kjo do të thotë se ajo nuk mban asnjë përgjegjësi personale dhe as si presidente për marrëdhëniet midis dy kryeministrave. Pse duhej atëherë të merrte role që nuk i takonin? Pse duhej që ajo ta priste me qilim të kuq Edi Ramën edhe atëherë kur kryeministri i Shqipërisë nuk pranoi ta takonte në Prishtinë homologun e vet, Albin Kurti (para 13 muajsh)?!

Po me 16 shkurt pse ajo e përsëriti të njëjtën skenë, duke e ditur se ishte kryeministri Kurti përgjegjës për pritjen dhe përcjelljen e homologut të vet shqiptar? A do të thotë kjo se ajo u bë paternaliste e kreut të ekzekutivit?! Sigurisht që po. Në fakt Edi Rama i ka injoruar gjithmonë homologët e tij kryeministra në Kosovë, përveç Hashim Thaçit. Me Isa Mustafën e Ramush Haradinajn e së fundi me Albin Kurtin ai ka pasë dhe ka probleme. Kjo histori është e njohur nga zonja presidente. Atëherë si është e mundur ta fajësosh së paku në publik Albin Kurtin për marrëdhëniet me Edi Ramën? Edi Rama është fajtori i këtyre marrëdhënieve, ndërkohë që zonja Osmani krijoi një lidhje me fajtorin për të fajësuar viktimën, edhe pse Kurti nuk pranon asnjëherë të bëhet viktimë.

Nëse presidentja Vjosa Osmani nuk e kupton se ku është futur dhe nëse vazhdon t’i besojë djallit, atëherë nuk do të ketë asnjë shans që ta sfidojë kryeministrin e Kosovës si kundërshtar të saj. Kjo kërkon apologji të sinqertë, jo ego dhe vetë lëvdata. Albinin është më mirë ta kesh mik, sesa armik. Edi Ramën është më mirë ta kesh armik, sesa mik! Vetëm në këtë mënyrë i shërben Kosovës, vetëvetes dhe perspektivës së vendit. Sepse Edi Rama, ndonëse është kryeministër i Shqipërisë, është edhe kryeministri më i mirë për Serbinë që nga koha e Pashiq!