Kualifikimi i Dritës në Ligën e Konferencës, sukses historik – Ekonomia Online

Kualifikimi i Dritës në Ligën e Konferencës, sukses historik

Drita ka arritur sukses historik të enjten mbrëma në Differdange të Luksemburgut. Drita e mposhti 1:0 kampionin e Luksemburgut, Differdange, për të bërë vend në fazën e ligës në “Conference League”. Në Ligën e Konferencës, kampionia e Kosovës në futboll do t’i ketë edhe të paktën gjashtë ndeshje. Faza e ligës prej edicionit të kaluar e ka zëvendësuar fazën grupore në garat evropiane për klube të futbollit.

Futbollisti i Dritës, Besnik Krasniqi, është shprehur tejet i lumtur për kualifikimin për herë të parë në Ligën e Konferencës.

Ai realizoi golin e fitores ndaj Differdanget në ndeshjen e kthimit në plejof të enjten në Luksemburg. Drita i fitoi të dyja ndeshjet e plejofit – 2:1 në Prishtinë, dhe sonte 1:0 në Luksemburg.

“Jam shumë i lumtur për fitoren dhe që goli im ishte vendimtar. Ishim pak në presion, pasi e kemi ditur se është natë historike. Dhe ia arritëm. Jam shumë i lumtur për tifozët e Dritës. Po ashtu për presidentët që kanë bërë punë të jashtëzakonshme dhe e kanë merituar këtë”, ka thënë Krasniqi pas ndeshjes.

Lojtari e ka vlerësuar këtë si suksesin më të madh të karrierës së vet.

“Është suksesi më i madh në karrierën time. Por ky nuk është fundi. Kemi ende punë. Në grupe do të jemi më të qetë dhe do të bëjmë lojëra shumë më të mira. Si favoritë kishim një lloj presioni, por e menaxhuam mirë dhe në fund u shpërblyem. Falënderoj tifozët dhe familjen time”, ka shtuar ai.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është parë i emocionuar pas kualifikimit historik në Ligën e Konferencës. Ai ka thënë se ky sukses ka qenë mëritë e plotë e lojtarëve.

“Një gëzim i jashtëzakonshëm, emocion i madh. Merita më e madhe është e dy presidentëve, që asnjëherë nuk janë dorëzuar. Për mua personalisht është një ëndërr e realizuar. Garoj me veten dhe mendoj se mund t’i jap edhe më tepër futbollit kosovar. Është meritë e plotë e lojtarëve”, ka thënë ai pas ndeshjes.

Drita fitoi të dyja ndeshjet e plejofit ndaj Differdanget. Në ndeshjen e kthimit në Luksemburg fitoi 1:0, një javë pas fitores 2:1 në Prishtinë. E para këtyre ndeshjeve, Drita pësoi pesë humbje rresht. E Ramadani ka thënë se rikthimi tregon karakterin e lojtarëve.

Trajneri ka thënë se cak tani e kanë kampionatin e Kosovës dhe mbrojtjen e titullit.

“Hera e parë që më ndodh t’i kemi pesë humbje rresht. Por ky është karakteri. Kemi besuar shumë në ekip. Kam besuar në karakterin e ekipit. Nuk është vetëm sukses i yni. Siç jemi gëzuar ne për suksesin e Ballkanit, besoj se edhe të tjerët do të gëzohen me suksesin tonë. Fokusi tani është te kampionati. Për Evropë me grupet jemi të kënaqur. Tani duam ta mbrojmë titullin e kampionit. Suksesin ia dedikoj babait të ndjerë”, ka thënë ai.