Njohësi i sigurisë, Gurakuç Kuçi, në një analizë për situatën aktuale, paralajmëron se Rusia po intensifikon veprimet hibride në Evropë, ndërsa Serbia po amplifikon narrativën ruse në Ballkan.
Ai thekson se rreziku nuk qëndron domosdoshmërisht në një sulm frontal ndaj NATO-s, por në provokime të vazhdueshme përmes dronëve, sulmeve kibernetike dhe manipulimeve politike.
Sipas Kuçit, qëndrimi i vetëm i vlefshëm për aleancën është përgatitja dhe uniteti, pasi Rusia dhe aleatët e saj synojnë të krijojnë frikë e përçarje, jo domosdoshmërisht fitore ushtarake.
Shkrimi i plotë:
Deklarata e Komisionerit Evropian të Mbrojtjes, Andrius Kubilius, se inteligjenca gjermane ka prova për diskutime në Kremlin lidhur me një sulm të mundshëm ndaj NATO-s, përkon me intensifikimin e veprimeve hibride ruse në Evropë. Valët e fundit të dronëve që kanë depërtuar nga veriu deri në jugperëndim të kontinentit, si dhe incidentet pranë infrastrukturave strategjike të vendeve aleate, tregojnë se Moska po teston kufijtë e reagimit të Aleancës.
Në të njëjtën kohë, Serbia po amplifikon narrativën ruse në Ballkan. Presidenti Vuçiç paralajmëron “luftë të afërt”, ndërsa shpif për “spastrime etnike” në Kosovë, duke e përdorur fushatën zgjedhore për mobilizim politik e civil të serbëve lokalë. Kjo është një formulë klasike e ndërhyrjes hibride: krijim tensioni, prodhim paniku dhe justifikim i veprimeve të ardhshme nën petkun e “mbrojtjes kombëtare”.
Rreziku real ndoshta nuk është një pushtim frontal i NATO-s, por një valë e re provokimesh të vazhdueshme: dronë, sulme kibernetike, sabotime infrastrukturore dhe manipulim elektoral në zonat gri. Përgjigjja duhet të jetë e qartë: forcim i parandalimit teknik dhe politik, mbrojtje e hapësirës ajrore dhe rrjeteve kritike, reagim i shpejtë ndaj dezinformimit dhe koordinim i plotë me NATO-n e BE-në.
Të tjera
Zgjedhjet lokale në RMV: Ku fituan bindshëm VLEN e AKI dhe ku po vazhdon ende gara – çfarë dihet deri tash
Atiq: Lista Serbe i fitoi zgjedhjet me kërcënime ndaj qytetarëve
Zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut: Kush fitoi dhe ku?