Analisti politik Driton Tali ka kujtuar sot, më 22 tetor, 113-vjetorin e hyrjes së ushtrisë serbe në Prishtinë më 1912, duke e cilësuar këtë ngjarje si fillimin e një gjenocidi ndaj shqiptarëve gjatë Luftërave Ballkanike.
Ai sjell dokumente historike nga raportet austro-hungareze, libri “Golgota e Shqipërisë” i Leo Freundlich, veprat e Dimitrije Tucoviçit dhe raportin e Komisionit Carnegie të vitit 1914, të cilat përshkruajnë masakrat, djegiet e fshatrave dhe dëbimet masive të shqiptarëve nga ushtria serbe.
Tali thekson se qëllimi i Serbisë ishte “ndryshimi i përbërjes etnike të Kosovës” dhe se mizoritë e kryera janë dëshmuar në shumë burime ndërkombëtare të kohës.
Ai kritikon kryeministrin shqiptar Edi Rama, duke thënë se Serbia asnjëherë nuk është penduar për këto krime, përkundrazi i glorifikon, ndërsa “Rama na këshillon të mos merremi me Serbinë”.
Gjenocidi serb mbi shqiptarë në Luftërat Ballkanike – një ligjëratë e vogël për Edi Ramën.
“Ne kemi realizuar një tentativë të paramenduar për shfarosjen e një kombi të tërë”.
Dimitrije Tucoviç “Serbia dhe Shqipëria: Një Kontribut në Kritikën e Politikës Pushtuese të Borgjezisë Serbe”.
Si sot, para 113 viteve (pra me 22 tetor 1912) në Prishtinë futet ushtria serbe, e udhëhequr nga gjenerali Bozhidar Jankoviç,
Lufta e Parë Ballkanike shpërtheu më 8 tetor 1912, kur aleanca ballkanike (Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia) sulmuan Perandorinë Osmane për të marrë territoret e saj në Ballkan.
Ushtria e Serbisë futet në territoret shqiptare, pasi që shqiptarët ishin lodhur nga luftimet e shumta të pandërprera për shumë vite kundër Perandorisë Osmane.
Ajo (ushtria serbe) futet duke bërë gjenocid (sipas asaj se çka sot konsiderohet gjenocid).
Kētë e pohon edhe Raporti i Komisionit Carnegie, i botuar më 1914 (Fondacioni Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, Raporti i Komisionit Ndërkombëtar për Hetimin e Shkakut dhe Zhvillimit të Luftërave Ballkanike), ku thuhet:
“Fushata serbe në Kosovë e Shqipëri u shoqërua me shkatërrime sistematike dhe dhunë ndaj popullsisë civile”.
Për të vazhduar me, në fq 151:
“Nuk ka asgjë përveç kufomave, pluhurit dhe hirit. Ka fshatra me nga 100, 150 e 200 shtëpi ku nuk ka mbetur asnjë njeri, në të vërtetë asnjë. I mblidhim në grumbuj prej 40–50 vetash dhe i shpojmë me bajoneta derisa të vdesë edhe i fundit prej tyre. Plaçkitje ka kudo”.
Ndërsa Dimitrije Tucoviçi, në veprën e tij “Shqipëria dhe Serbia”, fq 124, shkruan
“Pushtimi i ushtrisë serbe… Ai ndau bujkun nga arat, bagëtinë nga kullotat, tufat nga pishinat, fshatin nga mulliri, tregtarin nga tregu, rrethin nga qyteti, dhe tërë vendbanimet malore nga qendrat e tyre ekonomike dhe rezervat ushqimore. Shqiptari nga ana tjetër nuk guxonte të hynte në tokën e tij që kishte mbetur në këtë anë. Të gjitha burimet e jetës ishin të bllokuara. Në dëshpërim dhe uri, populli lutjese për të hyrë lirshëm në treg, e kur edhe kjo i mohohej, midis vdekjes nga uria dhe vdekjes nga plumbi, ai zgjodhi këtë të dytën”.
Publicisti hebreo-austriak Leo Freundlich, në librin e tij “Golgota e Shqipërisë”, këto ngjarje i quan “akt i shfarosjes kombëtare”.
E Dimitrije Tucoviçi, në fq 131, në librin e tij “Serbia dhe Shqipëria…” shkruan:
“Serbia nuk hyri në Shqipëri si vëlla, por si pushtues dhe me politikën e saj të keqe e shtyu popullin shqiptar drejt urrejtjes ndaj gjithçkaje serbe”.
Kurse në faqe 131, shkruan:
“Serbia donte dalje në det dhe një koloni të vetën, por mbeti pa dalje në det, ndërsa nga kolonia e imagjinuar krijoi një armik të përgjakshëm”.
Për gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve, raportuan edhe konsujt, si bie fjala konsulli austro-hungarez në Shkup (24 tetor 1912), i cili njofton Ministrinë e Jashtme në Vjenë, si vijon:
“Më 22 të këtij muaji, trupat serbe të Armatës së Tretë nën komandën e gjeneralit Janković hynë në Prishtinë pas një qëndrese të vogël të forcave osmane. Qyteti është plot me ushtarë, shumica prej të cilëve sillen me brutalitet ndaj popullsisë shqiptare myslimane. Ka raporte për plaçkitje të dyqaneve dhe djegie shtëpish.”
“Popullsia shqiptare po largohet në drejtim të maleve të Drenicës e të Pejës, duke frikësuar nga hakmarrja serbe.”
Gjithashtu edhe Raporti nga Konsullata austro-hungareze, në Prizren, me 27 tetor 1912, përshrkuan gjenocidin serb në këtë mënyrë:
“Pas pushtimit të Prishtinës, ushtria serbe po ecën në drejtim të Prizrenit dhe Gjakovës. Në çdo vend të kaluar, gjenerali Janković ka dhënë urdhër për të ‘pastruar elementin shqiptar’ nën pretekstin e sigurimit të rendit. Fshatra të tëra janë djegur dhe burrat e kapur janë pushkatuar pa gjyq.”
“Në tregun e Prishtinës janë parë dhjetëra gra e fëmijë të vrarë. Shumë shtëpi myslimane janë rrënuar plotësisht.”
Gjenocidin e dokumenton edhe Raporti i atasheut ushtarak në Beograd (dërguar më 30 tetor 1912), ku thuhet:
“Sipas dëshmive të marra nga oficerë të huaj që kanë ndjekur Armatën III, sjellja e trupave serbe në Kosovë është përtej çdo përshkrimi. Ka ndodhur shkatërrim i qëllimshëm i fshatrave shqiptare, për të imponuar kontroll të plotë serb. Gjenerali Janković e ka quajtur këtë ‘masë disiplinuese ndaj elementeve armiqësore’.”
Është interesant se këto raporte u publikuan në “Neue Freie Presse” (Vjenë) dhe “Pester Lloyd” (Budapest) në fund të tetorit 1912, duke shkaktuar reagim ndërkombëtar.
Këto lajme u përdorën edhe nga diplomacia austro-hungareze për të argumentuar se Serbia po zbatonte politikë të spastrimit etnik në Kosovë, çka rrezikonte paqen në Ballkan.
Për fund, të ceket edhe raporti i 31 tetorit 1912, në të cilin thuhet:
“Kosova, e pushtuar nga ushtria serbe, është kthyer në një shkretëtirë të djegur. Popullsia myslimane është në ikje. Raportet për mizori janë të shumta dhe të besueshme. Është e qartë se qëllimi i veprimeve serbe është të ndryshojnë përbërjen etnike të krahinës”.
Dhe për këtë golgotë Serbia jo që nuk është penduar por përkundrazi e paraqet si një pjesë të ndritshme të historisë së saj, dhe për më tepër këtë sjellje ndaj shqiptarëve e përësëriti disa herë pastaj.
E kryeminstri i Shqipërisë na këshillon që të mos merremi me Serbinë!!!?
Të tjera
Britania sanksionon rrjetin nga Kosova për falsifikim dokumentesh për kontrabandistë njerëzish
Bislimi në takim me Sørensenin: Zbatimi i marrëveshjes, të zhdukurit dhe masat e BE-së kërkojnë zgjidhje të menjëhershme
Dënohet me burgim Faik Kadriu, ish-arsimtari që ngacmoi seksualisht nxënëset në Vushtrri