Kujtohet Agim Ramadani, çmohet thyerja e kufirit në Betejën e Koshares

Kujtohet Agim Ramadani, çmohet thyerja e kufirit në Betejën e Koshares

Në përvjetorin e rënies së heroit Agim Ramadani, është mbajtur akademi përkujtimore ku u vlerësua kontributi i tij në luftën çlirimtare, me theks të veçantë në thyerjen e kufirit në Betejën e Koshares.

 

Në këtë aktivitet u rikujtua roli i Ramadanit si një ndër strategët kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili udhëhoqi operacione të rëndësishme ushtarake dhe kontribuoi në një nga betejat më vendimtare të luftës, duke hapur kufirin Kosovë–Shqipëri.

“Heqja e kufirit shqiptaro-shqiptar ishte arritja më e madhe e betejës së Koshares. Një kufi që na kishte ndarë për pothuajse një shekull. Një kufi që të mësonte të ndaleshe, të përmbaheshe, të prisje. Dhe me kohë, u bë pjesë e mënyrës si mendonim dhe si e shihnim botën. Kjo ishte e vërteta jonë deri në fillim të vitit 1999. Beteja e Koshares, si beteja më e lavdishme e historisë sonë moderne, përtej të qenit operacion ushtarak, ishte edhe ndërhyrje në vetëkuptimin e kufirit. Kur u thye ai kufi, u shkatërrua edhe një kufi tjetër. Ai që kishim brenda vetes. Ai që na kufizonte ëndrrat”, tha nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola.

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, tha se në këtë përvjetor nuk kujtojnë vetëm një luftëtar të shquar, por një njeri që u bë simbol i guximit, i përkushtimit dhe i sakrificës për atdheun.

“Agim Ramadani mbetet figurë e veçantë edhe sepse te ai bashkoheshin si rrallë ndonjëherë ndjeshmëria e njeriut krijues dhe disiplina e ushtarakut profesionist. Kjo e bën edhe më të fuqishme trashëgiminë që ai na ka lënë. Në këtë përvjetor, duke kujtuar heroin Agim Ramadanin, ne kujtojmë njëkohësisht edhe rolin historik të UÇK-së në luftën për lirinë e Kosovës. UÇK-ja ishte shprehja më e lartë e rezistencës së popullit tonë kundër shtypjes, kundër dhunës dhe kundër mohimit të të drejtave themelore. Ajo e ktheu kërkesën për liri, më falni, në qëndresë të organizuar dhe u bë bartëse e një përpjekjeje të drejtë çlirimtare që hapi rrugën drejt lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Prandaj nderimi për dëshmorët tanë është njëkohësisht edhe nderim për idealet dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.

Ish-komandanti i UÇK-së, Anton Quni, tha se Agim Ramadani është arkitekti i thyerjes së madhe.

“Agimi është një paradoks i bukur. Si ushtarak karriere, ai zotëronte disiplinën dhe ftohtësinë e duhur për betejë. Por, brenda asaj uniforme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrihte zemra fisnike e një poeti dhe piktori. Ai e dinte se liria nuk mbrohet vetëm me plumb, por edhe me kulturë dhe identitet. Brusha e tij pikturonte peizazhet e Kosovës, ndërsa vargu i tij profetik na kujtonte se edhe vdekja është e bukur kur i detyrohesh lirisë”, tha ai.