Përfaqësuesi i VLEN’it si koordinator në kabinetin e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut e paska akuzuar Kryeministrin e Shqipërisë se me megafonat e tij në Shkup vepron si i tërbuar për ta dëmtuar VLEN’in dhe dinjitetin e shqiptarëve të Maqedonisë.
Që do të thotë se dinjitetin kolektiv të shqiptarëve të këtushëm e barazon me atë të atyre që atë fare nuk e kanë – të dhjetëra drejtuesve interesxhinj të VLEN’it?!
Në të vërtet ky nuk është rasti i parë kur dikush i mbron shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nga Tirana zyrtare, ngaqë ka muaj që një gjë të tillë rregullisht e bënë ‘gjyshi’ këshilltar shqiptar i ‘tezes’ presidente, që edhe paguhet vetëm për ta mbrojtur Maqedoninë nga shqiptarët dhe për të qenë sa më i pëlqyer për punëdhënësen e vet.
Autori i këtij teksti është nga ata që natë e ditë i kritikon Kryeministrin e Shqipërisë dhe drejtuesit e BDI-së, por edhe si i tillë kurrë nuk e kishte paramenduar se do vinte koha kur shqiptarët e këtushëm dikush do i mbronte si gjatë dekadave komuniste jugosllave kur të gjitha të ‘këqijat’ atyre u vinin nga Tirana e Prishtina?!
Këta që thonë se Tirana zyrtare është duke dëmtuar interesin dhe dinjitetin e shqiptarëve të Maqedonisë Veriore bëjnë një gabim që nuk u ka hije politikanëve me sado pak mend në kokë: interesin dhe dinjitetin e shqiptarëve të këtushëm e barazojnë me atë të dhjetëra VLEN’istëve?!
Por cili është ky interes? Merreni, për shembull, Alternativën dhe do vëreni se interesi dhe dinjiteti i saj nis e përfundon me atë të pesë -gjashtë aktivistëve të saj, të cilët kur nuk janë drejtorë të LSDM’së janë ministra të VMRO-DPMNE’së.
Apo, merrni ata të BESËS dhe do vëreni se gjithë interesi dhe dinjiteti i shqiptarëve të Maqedonisë përmyllet me atë të dhjetëra anëtarëve të ‘Klanit të Llërcës’, të cilët kur është e fort LSDM’ja bëjnë koalicion me të, e kur ajo dobësohet i shërbejnë VMRO’së!
Nuk ka dyshim se duhet të jesh mbi mesataren jo korrekt e të thuash se në BDI gjërat funksionojnë ndryshe. Por megjithatë ka një dallim; BDI-ja është si ‘sipërmarrje’ e madhe aksionarësh e ku çdo komunë ka me dhjetëra hajdutët e vet, ndërkaq VLEN’i është sekte ku e gjitha përfundon në xhepat e dhjetëra sektashëve të saj.
Siç i dallon edhe ajo se sektashët e VLEN’it shkojnë nëpër xhamia për ta fshehur tytyrën e hajdutit e këta të BDI’së, veshin pallto firmato dhe, për të njëjtin qëllim, shkojnë nëpër ambasadat perëndimore.
Por ka diçka që i barazon sektashët e VLEN’it dhe drejtuesit e BDI’së: ata nuk e kanë kuptuar se nëse nuk e zgjedhim fytyrën e lindjes, ne e përcaktojmë saktë fytyrën me të cilën plakemi dhe me të cilën do të vdesim! (Kim Mehmeti)



Të tjera
Pas 17 vjetësh, Kroacia rikthen shërbimin ushtarak
Rusia godet rrjetin energjetik të Ukrainës, qindra mijëra banorë mbesin pa rrymë në acar
Rekord historik: Administrata Trump anulon mbi 100 mijë viza amerikane