Kurti brenda 15 dite duhet t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e Qeverisë - A do të arrijë t’i bëjë 61 vota për Qeverinë e re?

Kurti brenda 15 dite duhet t’i paraqesë Kuvendit përbërjen e Qeverisë – A do të arrijë t’i bëjë 61 vota për Qeverinë e re?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka 15 ditë kohë në dispozicion për të paraqitur para Kuvendit të Kosovës përbërjen e Qeverisë së re.

Kjo pasi sot presidentja Vjosa Osmani, në mbështetje të kompetencave të saj kushtetuese, ka nënshkruar Dekretin, me të cilin mandaton Albin Kurti për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

“Sipas Kushtetutës, mandatari për formimin e Qeverisë, z. Kurti, është i obliguar që jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë nga dita e dekretimit, t’i paraqesë Kuvendit të Republikës së Kosovës përbërjen dhe programin e Qeverisë për miratim. Presidentja i ka uruar suksese z.Kurti, kryeministër në detyrë, me shpresën që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues”, është thënë në njoftimin e Presidences.

Pasi e ka dekretuar Kurtin si mandatar, presidentja Vjosa Osmani ka uruar që Kosova sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues.

Ajo në Facebook ka shkruar se uron që në qeverinë e re të merren vendime për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë.

“Sot, në përputhje me kompetencat kushtetuese, kam mandatuar Kryeministrin në detyrë, z. Albin Kurti, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Uroj që Republika e Kosovës sa më parë të ketë Qeveri me mandat të plotë kushtetues, ku do të merren vendime për të mirën e vendit dhe të gjithë qytetarëve tanë”, ka shkruar Osmani.

Pavarësisht takimeve me Limajn, nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret për ndonjë marrëveshje për bashkëqeverisje, meqë Limaj kërkonte garanci nga Kurti që i ka 61 votat për krijimin e Qeverisë së re, në këmbim të votave të NISMA-s për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Ndërkohë nga Lidhja Demokratike e Kosovës në vazhdimësi kanë refuzuar ftesat e Kurtit për takime rreth krijimit të Qeverisë së re, derisa nga LVV thonë se s’duan institucione të reja që dalin nga një bashkëpunim me PDK-në.

Kurti në Kuvend i ka 56 deputetë, përfshirë Nenad Rashiqin dhe ata të komuniteteve jo-serbe, që janë të pamjaftueshme për votimin e Qeverisë së re, për të cilën kërkohen plotë 61.

Ndonëse s’kanë koalicion me asnjë parti, nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë gjithë kohës thonë se i kanë votat për krijimin e Qeverisë së re.

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka shkruar sot se “Qeveria Kurti 3 po vjen”.