Forcimi i mbrojtjes: Kurti darkon me zyrtarin amerikan të Mbrojtjes, kërkon rritje të investimeve dhe bashkëpunimit ushtarak

Kurti darkon me zyrtarin amerikan të Mbrojtjes, kërkon rritje të investimeve dhe bashkëpunimit ushtarak

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti takoi sonte zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes për Politika Evropiane dhe NATO, David Baker, të shoqëruar nga e Ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, në një darkë pune të shtruar nga ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, ishin ndër temat kyçe të diskutimit.

Kryeministri Kurti e njoftoi zëvendësndihmëssekretarin Baker me zhvillimet dhe progresin në vend, investimet në mbrojtje përgjatë këtij mandati dhe nevojën e rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve. Ai e falënderoi z. Baker dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen jetike që i kanë dhënë Republikës së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës përgjatë viteve, si dhe për rolin e saj të vazhdueshëm për sigurinë dhe paqen.

Kryeministri gjithashtu shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të fuqizuar edhe më tej raportet me ShBA-të në fushën e mbrojtjes, përfshirë industrinë e mbrojtjes.

Në këtë darkë, përkrah kryeministrit, ishin, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti.