Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me drekë pune me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në Pallatin Elize në Paris, ku mes tjerash u diskutuan integrimet evropiane, siguria në Kosovë dhe raportet me Serbinë ndërlidhur me dialogun në Bruksel, transmeton KosovaPost.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit potencohet se gjatë takimit u vlerësua kontributi i Francës për mbështetjen e vazhdueshme të Kosovës dhe progresi i vendit në 35 nga 38 fusha reformash, sipas Raportit të fundit të Bashkimit Evropian. Po ashtu, potencohet se Kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Francës për integrimin evropian dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
Në takim u theksua rëndësia e sigurisë së Kosovës, përfshirë mbrojtjen e kufijve, ngritjen e kapaciteteve vendore mbrojtëse, bashkëpunimin me NATO-n dhe aleatët veri-atlantikë, si dhe roli i dialogut me Serbinë në kuadër të zbatimit të marrëveshjes për normalizim të plotë.
Gjithashtu, potencohet se u diskutua për zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik dhe organizimin e forumeve të reja të bizneseve Kosovë–Francë, si dhe për Lojërat Mesdhetare 2030 që do të mbahen në Kosovë, duke kërkuar mbështetjen e Francës në përgatitjet për organizimin e tyre.
“Takimi konfirmoi përkushtimin e ndërsjellë për thellimin e mëtejmë të partneritetit evropian e bilateral ndërmjet Kosovës dhe Francës”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.



Të tjera
Rrëzimi i dekretit të Osmanit, reagon Grupi Parlamentar i LDK
Diagnoza e gabuar – gabimi më i shpeshtë mjekësor dhe më seriozi
Edhe gjiganti mediatik The Guardian me artikull për Kosovën e lavdishme