Kurti: Qeveritë e kaluara qëndruan në detyrë pavarësisht krizave, por neve na kërkohet të largohemi menjëherë

Kurti i quan “patriarkalë” deputetët që s’po i japin votë Haxhiut

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se refuzimi i deputetëve për të votuar kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, nuk është vetëm përplasje politike, por edhe përballje gjinore me “elitat patriarkale” që, sipas tij, kanë frikë nga gratë e guximshme në politikë.

“Lufta kundër kryetares së GVV-së nuk është vetëm përplasje politike apo partiake, por edhe përballje gjinore. Refuzimi për ta votuar atë si kryeparlamentare tregon frikën që elitat patriarkale kanë nga gratë e guximshme, të cilat sfidojnë status quo-në”.

Ai ka vlerësuar se deputetët që kanë votuar për Gjykatën Speciale, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, amnistinë për kriminelët serbë e demarkacionin me Malin e Zi, sot bllokojnë një grua që s’ka qenë pjesë e asnjë prej këtyre vendimeve.

“Dhe kush e bën këtë? E bëjnë edhe 10 deputetë që sot janë në opozitë dhe e kanë votuar ‘Zajednicën’ me 27 qershor 2013; po ashtu 10 deputetë që sot janë në opozitë e kanë votuar amnistimin e kriminelëve serbë në veri me 11 korrik 2013; më tej, 7 deputetë opozitarë sot, me 3 gusht 2015 e patën votuar Gjykatën Speciale; dhe, 15 deputetë opozitarë që janë tani e patën votuar demarkacionin me Malin e Zi me 21 mars 2018!”

“E këta deputetë të papenduar për këto 4 votime aq të këqija nuk e votojnë Albulena Haxhiun, dhe bile ia pamundësojnë kuorumin Kuvendit për votim të fshehtë. 5 deputetë opozitarë i kanë votuar të katërtat këto të këqija, kurse Albulena asnjërën prej tyre”.