Kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar masakrat në Studime, Poklek të Ri, Tusuz dhe Stagovë, ai bëri thirrje për drejtësi për viktimat civile, transmeton KosovaPost.
Kurti, në një postim në Facebook, ka shkruar se fundi i muajit majit na përkujton sakrificën e popullit tonë për lirinë e popullit dhe çlirimin e Kosovës. Me nderim e dhembje përkujtojmë të vrarët në masakrat në Studime, Poklek të ri, Tusuz e Stagovë.
“Më 31 maj 1999, në fshatin Studime të Vushtrrisë, u krye një nga mizoritë më të mëdha ndaj një familjeje shqiptare. Forcat serbe masakruan 13 anëtarë të familjes Gërxhaliu, mes tyre shtatë fëmijë të moshës 7 deri në 16 vjeç. Viktimat e kësaj masakre ishin: Sabahudin, Mybera, Safer, Abdurrahman, Mexhit, Muharrem dhe Shaban Gërxhaliu, si dhe Sofije, Fehrije, Selatin, Xhemajl dhe Salihe Gërxhaliu. Një vit më parë, më 31 maj 1998, në Poklek të Ri të Drenasit, forcat serbe vranë dhe zhdukën dhjetë civilë shqiptarë të pafajshëm. Asnjë prej tyre nuk ishte i përfshirë në luftë – viktimat ishin civilë të pambrojtur”, ka shkruar Kurti.
Masakra tjetër, shtoon ai, ndodhi më 26 maj 1999 në lagjen Tusuz të Prizrenit, ku 27 civilë shqiptarë u ekzekutuan mizorisht nga forcat serbe gjatë ofensivave ushtarake në qytet.
Po ashtu, shton Kurti, më 21 maj 1999, në fshatin Stagovë, u vranë 13 civilë të pafajshëm, mes tyre gra, burra dhe fëmijë, përfshirë Fitim Gudaqin, vetëm 6 vjeç. Viktimat e tjera ishin: Bahrije Elezi, Baki Bela, Brahim Dashi, Fahri Mani, Hamdi Dashi, Hanife Jaha, Hanife Gudaqi, Ibush Rrushi, Ramush Jaha, Ramadan Dashi, Selvije Krivanjeva dhe Sevdije Guri.
Këto masakra, thotë kryeministri në detyrë, përfaqësojnë krime të rënda kundër njerëzimit dhe janë dëshmi e dhunës sistematike që populli shqiptar përjetoi gjatë luftës për liri. Institucionet vendore dhe ndërkombëtare janë rregullisht thirrur që të ndjekin këto raste drejtësie dhe të mos lejojnë që këto krime të mbeten pa u ndëshkuar.
“Kujtimi i të vrarëve është thirrje për drejtësi dhe një angazhim i përhershëm për të mos harruar të kaluarën tonë të dhimbshme”, thuhet në mesazhet përkujtimore të shpërndara sot nga përfaqësues të institucioneve dhe shoqërisë civile.
“Drejtësia për të gjithë të vrarët nga Serbia gjatë luftës në Kosovë është obligim moral dhe kombëtar, ndaj kujtimit të tyre, ndaj paqes që e jetojmë sot dhe ndaj brezave që do të trashëgojnë historinë tonë, Lavdi martirëve dhe dëshmorëve të mbarë kombit shqiptar! I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Të tjera
Hajrulla Çeku, ministri më i mirë i Kulturës që ka pasur Kosova
Dogana e Kosovës jep detaje për ndalimin e Mozikut nga autoritetet
Aleanca e fortë me SHBA-në, gjithmonë në dobi të popullit tonë